Lajmet e fundit

Pothuajse gjysma e komunave të Kosovës kanë përfunduar rinumërimin e fletëvotimeve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online, përcjell Klankosova.tv.
Edhe pse rinumërimi po zhvillohet në rreth gjysmën e komunave, deri tani janë rinumëruar vetëm 29% e vendvotimeve të përcaktuara nga KQZ-ja.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se procesi i rinumërimit po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e premte, 16 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar më shumë se 260 vendvotime nga 914 sa janë planifikuar të rinumërohen. Procesi i rinumërimit është përmbyllur në 18 komuna, ndërkaq është duke vazhduar në 2 komuna të tjera, Prishtinë (26) dhe Prizren (235)”, tha Elezi.
“Sipas vendimit të KQZ, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve, ndërsa në 28 të tjera vetëm nga 10% e vendvotimeve. Se, a do të ketë rinumërim tjetër në këto komuna ku rinumërohet një numër i kufizuar i vendvotimeve, do të varet nga gjetjet gjatë këtij procesi”, tha Elezi.
Komunat ku kanë përfunduar me rinumërimin, apo në proces e sipër, janë: Deçani (5/5), Gjakova (15/15), Gllogoci (7/7), Gjilani (13/13), Dragashi (57/57), Istogu (6/6), Kaçaniku (45/45), Klina (6/6), Fushë Kosova (6/6), Kamenica (5/5), Mitrovica e Jugut (10/10), Leposaviqi (25/25), Lipjani (9/9), Novobërda (2/2), Obiliqi (3/3), Rahoveci (8/8), Peja (14/14), Podujeva (11), Prishtina (10/26) dhe Prizren (9/235).