Lajmet e fundit

Pas më shumë se dy orësh, ka përfunduar protesta kombëtare e opozitës para kryeministrisë, e thirrur nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
Në protestë pati 20 folës, ndër ta edhe kreu i PD-së, Sali Berisha dhe ai i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Të dy liderët, hodhën akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, për shpopullimin e vendit, situatën ekonomike dhe korrupsionin.
Protesta, pas përfundimit të saj, u shoqërua me incidente. Gjithçka filloi pasi Berisha mbaroi fjalën e tij dhe protestuesve u bë thirrje për të ndezur qirinj në shkallët e kryeministrisë, në nder të personave që kanë humbur jetën në përplasjet me policinë, njofton Euronews.al
Protestuesit e çanë kordonin e policisë dhe hynë në oborrin e kryeministrisë, ku hodhën bojë në dyert dhe dritaret e godinës.
Për mbarëvajtjen e protestës, ishin në gatishmëri rreth 1000 efektivë policie, teksa disa akse rrugore u mbyllën që prej orës 15:00.
Shërbimet e rendit patën peshën kryesore, por kishte edhe një mobilizim të Forcave Speciale. Në protestë kishte një numër shumë të lartë qytetarësh, të cilët iu përgjigjën pozitivisht ftesës së opozitës.