Ballkani, Prishtina dhe Arberia janë të vetmit që gjetën fitore në xhiron e 31-të të Superligës së Kosovës në Futboll.
Ballkani dhe Llapi zhvilluan një lojë tejet të ashpër, që si pasojë u karakterizua edhe me tre kartonë të kuq, një për vendasit dhe dy për mysafirët. Ndeshja përfundoi me rezultat minimal 1 me 0, ku golin e vetëm të Ballkanit e dha Blend Baftiu në minutën e ’33.
Ballkani - Llapi 1-0
Edhe Arberia gjeti fitore në minutat e fundit të lojës, ku Kreshnik Bahtiri theu akullin në minutën e ’89. Rezultati final i kësaj ndeshje ishte 1-0 në favor të Arberisë.
Feronikeli - Arberia 0-1
Në anën tjetër Drita ka barazuar me skuadrën e vendit të fundit Besën. Në minutën e ’19 ishte Besa që gjeti golin e parë më anë të Ardit Tahirit, ndërsa Ergyn Ahmeti ishte ai që barazoi rezultatin në minutën e ’63.
Drita - Besa 1-1
Me barazim përfundoi edhe ndeshja në mes të Gjilanit dhe Drenicës, por kjo ndeshje përfundoi pa gola.
Gjilani - Drenica 0-0
Me barazim ishte duke shkuar edhe ndeshja në mes të Prishtinës dhe Trepçës '89, ku pjesa e parë në “Fadil Vokerr” përfundoi 0 me 0, mirëpo gjithçka ndryshoi katër minuta pas fillimit të pjesës së dytë, ku shënoi Endrit Krasniqi për ta dërguar Prishtinën në epërsi.
Seria e golave për Prishtinën nuk përfundoi me aq, sepse në minutën e ’67 shënoi Leotrim Kryeziu, por kjo nuk ishte gola e vetme për Kryeziun i cili gjeti rrjetën përsëri në minutën e ’76.
Golin e nderit për Trepçën ‘89 e dha Arbnor Muja në minutën e ’69.
Prishtina - Trepça '89 3-1
Java e 31-të në Superligë përfundoi me Ballkanin duke udhëhequr në vend të parë, mirëpo ka vetëm dy pikë diferencë me vendin e tretë Dritën dhe vetëm një pikë me vendin e dytë Prishtinën.
Kur mbetën edhe tre xhiro deri në përfundimin të ligës, gara për titullin e kampionit mbetet e hapur në mes të Ballkanit, Prishtinës dhe Dritës.
Kjo është renditja tabelore pas javës së 31-të të Superligës së Futbollit.

Më poshtë mund të ndiqni disa përplasje të ashpra dhe momentet më të nxehta që ndodhën gjatë ndeshjes Ballkani-Llapi.
https://www.youtube.com/watch?v=SYfsz1jeWMo
●●●
NSHKRIMI NGA
N.Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.