Transmetimet e NBA në Art Motion vazhdojnë me super ndeshjen ndërmjet liderit të Perëndimit, Los Angeles Clippers dhe skuadrës numër dy në Lindje, Brooklyn Nets. Takimi që zhvillohet në Barclays Center të New Yorkut starton të mërkurën në mëngjes nga ora 01:30 dhe do të transmetohet direkt në Art Sport 1.
01:30 LA CLIPPERS – BROOKLYN NETS ART SPORT 1
Pas humbjes nga Atlanta Hawks, Los Angeles Clippers kanë fituar tri ndeshjet pasuese dhe janë ngritur në pozitën e parë të Konferencës Perëndimore. Kjo ndodhi edhe për shkak të humbjes së Utah Jazz nga Denveri, me çka u ndal hovi i xhazistëve prej 11 fitoreve pa humbje. Andaj, Clippers të udhëhequr nga Kahwi Leonard janë të motivuar të vazhdojnë serinë e fitoreve dhe ta ruajnë kryesimin para Jazz dhe rivalëve lokal, LA Lakers që pozicionohen në vendin e tretë.
Nga ana tjetër, pas një serie me 4 fitore rresht, Brooklyn Nets u mposhtën të dielën e kaluar në festivalin e pikëve në Washington. Atë duel e fituan Wizards me rezultat 149:146.
Nets janë bërë makinë koshashënuese duke i falënderuar kalimit të James Hardenit nga Houstoni në Brooklyn dhe tash treshja bombarduese Durant – Irving – Harden është bërë e pamëshirshme. Kjo aftësi sulmuese e Brooklyn-it ka ndikuar që ata të ngrihen në pozitën e dytë të Konferencës Lindore me 13 fitore e 9 humbje prapa liderit , Philadelphia 76’ers që prijnë me 15 fitore e 6 humbje.
Kjo do të jetë ndeshja e parë e këtyre skuadrave sivjet ndërsa, takimin e fundit të zhvilluar më 10 gusht të vitit 2020 në Fluskën e Orlandos e kishin fituar Nets me rezultat 129:120.
Në këtë ballafaqim tek Brooklyn Nets do të mungojnë Iman Shumpert, Nicolas Claxton dhe Spencer Dinwiddie kurse, tek LA Clippers do të mungoj mbrojtësi kryesor Patrick Beverly.
Pesëshet startuese të mundshme janë:
BROOKLYN NETS: Kyrie Irving, James Harden, Kevin Durant, Joe Harris, DeAndre Jordan.
LA CLIPPERS: Reggie Jackson, Paul George, Kawhi Leonard, Nicolas Batum, Serge Ibaka.
Se cila skuadër do ta ketë nderin të dal triumfuese nga Barclays Center, këtë do ta mësojmë të mërkurën, me fillim nga ora 01:30, ekskluzivisht në Art Sport 1.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.