Maqedonia e Veriut pritet të dhurojë 100 mijë euro për çiftet që duan fshatin, por ata e kanë obligative të merren me bujqësi.
Parashikohet edhe mundësia për bashkëpunime mes fermerëve – nëse të paktën dy prej tyre fillojnë një projekt të përbashkët, ata do të kenë të drejtë për mbështetje financiare që mbulon deri në 70% të shpenzimeve për realizimin e aktiviteteve.
Përveç kësaj, për fermerët do të ketë ndihmë edhe për interesat e kredive dhe garancitë bankare – një mënyrë për të lehtësuar qasjen në financa për ata që duan të investojnë në prodhim, përpunim apo tregtim të produkteve bujqësore.
Ligji përfshin edhe ndihmë për blerjen e karburantit për makineritë bujqësore, përmes të ashtuquajturës “naftë e gjelbër”. Mbështetja mund të arrijë deri në 100% të kostove, por jo më shumë se 1,600 euro për çdo ekonomi bujqësore.
“Shteti do të mbulojë deri në 70% të kostove për të siguruar prodhimet bujqësore – një ndihmë kjo e rëndësishme për kohën kur ndryshimet klimatike po sjellin gjithnjë e më shumë dëme,” thotë Ferikan Iljazi – gazetare e Euronews Albania në Maqedoninë e Veriut.
Ligji i ri për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural është publikuar dhe do të jetë i disponueshëm për shqyrtim publik deri më 28 maj, ndërsa një seancë dëgjimore publike është planifikuar për 2 qershor.
Ligji parashikon edhe mbështetje për të rinjtë që duan të nisin një biznes të ri në fshat – në këtë rast, po ashtu mund të përfitojnë deri në 100 mijë euro. / Klankosova.tv
●●●
VZSHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.