Lajmet e fundit

Kampion i botës me Spanjën. Dy herë kampion Evrope me ta. Fitues i Ligës së Kampionëve me Chelsea-n. Ikonë te Atletico Madrid dhe Liverpool. Ndërkaq sot, Fernando Torres ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij 18 vjeçare në futboll.
Sulmuesi që së fundi luante në Japoni te Sagan Tosu e ka bërë të ditur lajmin në rrjete sociale.
”Kam diçka shumë të rëndësishme për të njoftuar. Pas 18 vjetësh ngazëllyes, ka ardhur koha t’i jap fund karrierës time në futboll”, ka shkruar 35 vjeçari.
Torres gjithashtu ka njoftuar se do ta mbajë një konferencë për media ku edhe do t’i shpalosë detajet tjera.
Ai do të mbahet mend si vrastar para portës dhe si autor i shumë golave të rëndësishëm si ai i fitores ndaj Gjermanisë më 2008 në finale të Kampionatit Evropian, si dhe ai ndaj Barcelonës në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Ndonëse në vitet e tij pas largimit nga Liverpool ai kurrë nuk arriti të kthehej në formën e vet më të mirë, emri i tij gjithmonë ngjallte frikë respekti te kundërshtarët.