Peja ka vazhduar me fitore, duke mundur në udhëtim Ponte Prizrenin me rezultat 91:94 në xhiron e dytë të Prince Caffe Superligës.
Verdhezinjtë u rikthyen në momentet vendimtare për të regjistruar fitoren e dytë në këtë edicion, ndërsa prizrenasit pësuan humbjen e parë.
Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, me një seri prej 8:2, por më pas zhvillohet lojë e baraspeshuar, duke përfunduar me rezultat 26:26. Megjithatë, prizrenasit ishin më të mirë në periudhën e dytë, duke arritur që të kenë epërsi konstante dhe të shkojnë në pushim me shifrat 53:42, shkruan Basketbolli.com, transmeton Klankosova.tv.
Ponte vazhdoi me lojë të mirë dhe thelloi epërsinë, ku më e larta ishte 70:53, 17 pikë epërsi, megjithatë, më pas kishin një rënie që e shfrytëzuan mysafirët, për të ngushtuar shifrat në 76:70, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash.
Lojë interesante u zhvillua në dhjetë minutat e fundit, ku pejanët kishin epërsi 80:85, e më pas prizrenasit 90:87, por në momentet vendimtare, Jalen Tate ishte i mrekullueshëm me shtatë pikë për fitoren e Pejës 91:94.
Te Ponte Prizreni u dalluan Urim Zenelaj dhe Kevin Baker me nga 12 pikë e nëntë kërcime, kurse te Peja u dalluan Rodney Purvis me 30 pikë e gjashtë kërcime dhe Jalen Tate me 18 pikë e gjashtë kërcime.

●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.