Klubi i Basketbollit, Peja ka lëshuar një komunikatë me një mal akuzash, tre ditë pas përballjes me Prishtinën, në kuadër të Prince Caffe Superligës së Kosovës.
Peja në reagim, ka thënë se salla u zbraz si rezultat i ‘egos’ dhe ‘hakmarrjes personale’ të komisarit të garave, Faton Kurshumlijës.
Madje, klubi nga Peja, këtë të fundit e quan edhe “komandant”.
Ata kanë renditur gjestet josportive të njërit tnga basketbollistëve të Prishtinës, i cili sipas tyre, provokoi të gjithë situatën.
“Fillimisht, do t'i potencojmë gjestet josportive të basketbollistit me nr.9 të KB Prishtinës - i cili në raste të ndryshme, të cilat i pasqyrojmë në videon e mëposhtme, provokon bankën e KB Pejës dhe tifozët në të dy anët, duke kapur organet gjenitale në drejtim të tyre. Për këto, basketbollisti me nr.9 i Sigal Prishtinës u ndëshkua me vetëm një faull teknik, edhe pse gjatë gjithë kohës banka e KB Pejës ia bëri me dije gjyqtarëvë të takimit që provokimet e tij josportive mund të dërgojnë deri në eskalimin e situatës”, thuhet në reagim.
“Për këto gjëra, banka e Pejës u dënua disa herë me gabime teknike pas provokimit të lojtarit në fjalë, që përkundër gjesteve josportive, nuk u ndëshkua nga gjyqtarët e takimit dhe mbeti në ndeshje, kur realisht ishte ai që e nxiti të gjithë situatën”.
“Gjyqtarët e takimit shumë herë ishin ballë për ballë me gjestet e basketbollistit me nr.9 të Sigal Prishtinës dhe për arsye që nuk mund t'i spjegojmë vendosën që mos ta ndëshkojnë për veprimet josportive dhe aspak të hijshme”.
Peja thotë se ‘së dyti, shpesh herë këtë sezon kemi hasur në hudhje në palestra të ndryshme të vendit - dhe në të gjitha herët, PËRVEÇ të shtunën, është zbrasur pjesa e tribunës nga ku kanë ardhur hudhjet, jo e gjithë salla. Kjo erdhi si pasojë e egos dhe hakmarrjes personale të Komisarit të Garave, Faton Kurshumlija, që shkoi përtej çdo ligji të caktuar nga vet Komisioni i Garave për të zbrasur, për herë të parë këtë edicion - të gjithë sallën’.
“Iu kërkojmë faljve të gjithë sponsorëve, personave eminent, dhe tifozëve e dashamirëve nga të gjitha moshat që përcjellën ndeshjen, të cilëve iu desh të largohen për teket dhe egon e shfrenuar të Komandantit Faton”.
“Për të njëjtat ndodhi si të shtunën, në ndeshjet e kaluara si Bashkimi - Prishtina, Trepça - Peja dhe Trepça - Prizreni, salla është zbrasur pjesërisht dhe jo e gjitha”.
“KB Peja qëndron fuqishëm në luftën kundër huliganizmit dhe sjelljeve jo korrekte nga ana e tifozëve dhe në vazhdimësi punojmë në rregullimin e tyre me atë se çfarë kemi ne në dorë, por rregullat absurde të vendosura nga Bordi i Federatës duhet të rishikohen dhe të rimendohen para se basketbollit të vdesë”, thuhet në përfundim të reagimit.
●●●
LISHKRIMI NGA
L I
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.