Sonte zhvillohet finalja e madhe e Ligës Unike në konkurrencën e femrave, ku përballë njëra-tjetrës do të jenë Peja 03 dhe Bashkimi. Njëkohësisht, kjo është edhe përballja mes dy skuadrave që e përfunduan sezonin e rregullt në dy pozitat e para.
KBF Peja siguroi finalen pas një fitoreje të rëndësishme ndaj Tiranës me rezultat 86:78. Ndeshja ishte mjaft interesante dhe me shumë kthesa, duke mbetur e hapur deri në minutat e fundit, ku skuadra pejane u tregua më e fortë në dhjetëminutëshin e fundit për të vulosur triumfin me tetë pikë epërsi, shkruan Klankosova.tv.
Te Peja u dalluan Kiki Jefferson me 25 pikë e 14 kërcime, Adrienne Godbold me 16 pikë e 12 kërcime dhe Ariel Colon me 15 pikë e pesë kërcime. Në anën tjetër, te Tirana më e mira ishte Mackenzie Daleba me 24 pikë, tetë kërcime dhe katër asistime.
Në gjysmëfinalen tjetër, Bashkimi tregoi dominim ndaj Flamurtarit, duke fituar bindshëm 81:63. Prizrenaset ishin në epërsi gjatë gjithë takimit, duke mos lënë hapësirë për befasi dhe duke siguruar një fitore të merituar.
Te Bashkimi u veçua Dontavia Waggoner me 22 pikë, ndërsa te Flamurtari më efikasja ishte Adia Brisker me 27 pikë dhe dhjetë kërcime.
Finalja pritet të jetë një përballje spektakolare mes dy skuadrave më të mira të këtij edicioni.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.