Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta shpallë të pavlefshëm ligjin për çmimin për produktet bazike, Ministrja e Industrisë, Tregtisëe dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimit dhe masave të tjera për naftën.
Sipas saj ky vendim ka për qëllim parandalimin e çrregullimit në treg me çmimet e naftës, sidomos, sipas saj, gjatë muajit të festave të fundvitit kur bashkëatdhetarët janë në atdhe, e gjithashtu me qëllim të mbrojtjes së konstumatorëve, konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet tjera në treg.
“Nga monitorimi i rregulltë i tregut të produkteve të naftës përmes Inspektoratit Qendror të Tregut/ MINT, me evidencë ditore për çmimet e shitjes me pakicë të produkteve të naftës dhe bazuar në evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës/ MFPT, lidhur me çmimet e furnizimit/importit të produkteve të naftës, është evidentuar mospërshtatje e çmimeve vendore krahasuar me lëvizjet e mëdha me ulje të çmimeve në tregun botëror, çka përbën bazë/shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse në këtë vendim”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Hajdari tha se me këtë vendim, marzha tregtare maksimale e lejuat e shitjes me shumicë është dy cent për litër dhe marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 12 cent për litër.
“Llogaritja e marzhës tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4 paragrafi 1.1 dhe 1.2. të U/A Nr. 03/2022 për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtrishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse. Ky vendim hyn në fuqi një (1) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek ekonomi dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.