Lajmet e fundit

Andi Lila nuk dëshiron të ndryshojë skuadër. Mbrojtësi shqiptar që është pjesë e suadrës së PAS Janinës që prej vitit 2011, kërkon ta vazhdojë aventurën në qytetin e Greqisë Veriore edhe pse ofertat në adresë të tij nuk kanë munguar.
Asteras Tripolis ofroi 180 mijë Euro për kartonin e lojtarit të Kombëtares Shqiptare, por drejtuesit e klubit të Janinës nuk dëshirojnë t’i humbasin shërbimet e tij pasi e konsiderojnë si një emër shumë të rëndësishëm për projektin e skuadrës.
Në këtë mënyrë, palët kanë nisur bisedimet për rinovimin e kontratës deri në vitin 2020, shkruan Supersport.al, përcjellë Klan Kosova.
Mediat greke bëjnë me dije se palët janë shumë pranë akordit dhe pritet që gjatë ditëve të ardhshme të hedhin format në kontratën që do t’i lidhë edhe për 4 vitet e ardhshme. “PAS Janina kërkon ta mbyllë sa më shpejt këtë çështje pasi Lila është një lojtar i pazëvendësueshëm për skuadrën”, shkruajnë mediat që vënë theksin te paraqitjet pozitive të mbrojtësit shqiptar në Kampionatin Grek.
Lila ishte një nga lojtarët më vendimtarë të sezonit të shkuar te PAS Janina pas shumë vitesh u rikthye në Europë duke siguruar kualifikimin në Europa League.