Lajmet e fundit

Pavarësisht humbjes së rëndë 5-0 në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain, Interi mbetet i vendosur të vazhdojë me trajnerin Simone Inzaghi, nëse ai dëshiron të qëndrojë.
Kjo është konfirmuar nga presidenti i klubit, Giuseppe Marotta, i cili theksoi se disfata nuk do të ndikojë në vendimmarrjen e klubit për të ardhmen e teknikut italian, transmeton klankosova.tv.
Kjo ishte finalja e dytë e humbur për Inzaghin në harkun e dy viteve, pas asaj kundër Manchester Cityt në vitin 2023.
Megjithatë, pavarësisht zhgënjimit, ai gëzon ende besimin e drejtuesve zikaltër.
Kontrata e Inzaghit me Interin përfundon në qershor të vitit 2026, por spekulimet nga mediat italiane sugjerojnë se ai mund të largohet që në këtë muaj, përpara Kupës së Botës për Klube që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në ditët në vijim pritet një takim vendimtar mes trajnerit dhe drejtuesve të klubit, ku do të përcaktohet edhe e ardhmja e tij.
Derisa, interesimi i klubeve të huaja, përfshirë gjigantët sauditë të Al Hilal, po rritet dita-ditës.