Lajmet e fundit

Emiratet e Bashkuara Arabe do të ndërtojnë spitalin e ri të gjinekologjisë në Kosovë.
Kjo u bë e ditur fillimisht nga ambasadori i vendit tonë në Abu Dhabi, Xhabir Hamiti, i cili tha se gjatë kësaj jave është pritur nga Shkëlqesia e Saj, Dr. Noura Al-Gaithi, Zëvendëssekretare e Departamentit të Shëndetësisë në Abu Dhabi.
Hamiti tha se Al-Gaithi e ka informuar atë se, “në përputhje me marrëveshjen ndërmjet Presidentes Osmani dhe institucioneve të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe në bashkëpunim me Ministrinë tonë të Shëndetësisë, kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë euro, të ndarë nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë”.
Gjithashtu, ambasadori shtoi se gjatë takimit është njoftuar se ky Departament, gjatë këtij viti, do të fillojë procesin e rinovimit dhe pajisjes me teknologji të re mjekësore edhe të Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri në shumë prej 7.5 milionë euro.
“Me këtë rast, në emër të shtetit dhe popullit tonë, shpreha mirënjohjen më të thellë ndaj lidershipit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në krye me Presidentin e vendit, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe ndaj popullit emiratas, për këto donacione të çmuara që kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e kushteve të sektorit të shëndetësisë në Republikën e Kosovës”, tha Hamiti.
Në ndërkohë, Shefja e Stafit të Presidentes Osmani, Learta Hollaj, në profilin e saj u shpreh e lumtur që dakordimi i Presidentes me Emiratet e Bashkuara Arabe për ndërtimin e spitalit të ri të gjinekologjisë “po bëhet realitet”.
“Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK dhe institucionet relevante të Emirateve të Bashkuara Arabe janë duke punuar në mënyrë të vazhdueshme për realizimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë”.
“Një falënderim i veçantë për Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, President i Emirateve të Bashkuara Arabe, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e çmuar”, shkroi Hollaj. /Klankosova.tv