Lajmet e fundit

"Mein Kampf", libri i shumëpërfolur i Adolf Hitlerit, botohet në Gjermani për herë të parë pas 70 vjetësh. Lajmi ka shkaktuar reagime nga më të ndryshmet. Shumë kanë ngritur pyetjen: A është në të mirë të interesit publik botimi i librit të atij që cilësohet përgjegjës për Holokaustin?
Pas mposhtjes së Gjermanisë nga forcat aleate në vitin 1945, dorëshkrimi i "Mein Kampf" i mbeti Bavarisë, që menjëherë ndaloi botimin e tij në Gjermani. Por më 1 janar të këtij viti u shënua 70-vjetori i vdekjes së autorit dhe sipas ligjit bavarian, vendimi për ndalimin e botimit e humbet vlerën. Kështu, libri voluminoz 800 faqesh do të bëhet i aksesueshëm për publikun.
Prej vitesh ka pasur ide të ndryshme për mënyrën e hedhjes në treg të këtij libri. Në vitin 2012, shteti aprovoi krijimin e një fondi të veçantë për të mbështetur publikimin e një varianti akademik, çka do të thotë që "Mein Kampf" të shoqërohej me shënime për të qartësuar kontekstin historik e moral. Pas ankesave të shumta, vendimi u tërhoq një vit më pas. Në vitin 2014, shteti e ktheu vendimin sërish, duke njoftuar mbështetjen e këtij botimi. Ministri i Kulturës tha atëherë se një vendim i tillë promovon lirinë e shkencës.
Teknikisht, nga 1 janari kushdo mund ta publikojë "Mein Kampf" në Gjermani. Megjithatë, libri do të vijë me ripunime. Sipas ekspertëve, çdo simpatizant i Hitlerit që mund të jetë i interesuar për librin do të zhgënjehet, pasi janë hequr të gjitha diskurset demagogjike.
Libri i Hitlerit i shkruar në vitin 1923 u publikua në vitin 1925 dhe pati sukses të menjëhershëm, pavarësisht se kritikët e cilësuan të dobët. Për gjermanët, megjithatë, libri mbetet një simbol i të kaluarës destruktive.
Në shekullin e 21-të, me gjithë ç'po ndodh në botë dhe me Gjermaninë pritësen më të madhe të refugjatëve nga zonat e nxehta të luftës, mos është ky libër një burim i ideologjisë raciste?/botimeshqip/