Lajmet e fundit
Skuadra franceze ka harxhuar shuma të mëdha parash në transferime futbollistësh, por në arenën ndërkombëtare ka dështuar të ketë ndikimin që priste

Që nga ardhja e tij në krye të PSG-së, Naser Al Khelaifi, ka bërë disa shpenzime për të afruar në Parc des Princes yjet e futbollit botëror, duke shpenzuar shifra marramendëse.
Mirëpo përtej dominimit në futbollin francez, skuadra kryeqytetase nuk ka shkuar në asnjë rast më shumë se çerekfinalet e Ligës të Kampionëve.
Madje sezonin e kaluar ekipi që drejtohet nga Unai Emery hyri në histori duke u eliminuar nga Barcelona me rezultat të përgjithshëm 6-5, edhe pse takimin e parë e kishte fituar thellë 4-0.
Le t’i marrin në analizë shpenzimet që janë kryer nga sezoni 2011-2012.
2011/2012 – Pastore, Motta, Gameiro, Menez, Sirigu, Maxwell etj., për shumën totale 107 milionë euro.
2012/2013 – U blenë Thiago Silva e Ibrahimovic, Lavezzi, Verratti e Lucas. Për 6 muaj edhe Beckham, në huazim nga Los Angeles Galaxy. Shuma e shpenzuar: 149 milionë euro.
2013/2014 – PSG shpenzon më pak, por blen Edinson Cavanin (64.5 milionë), Marquinhos (31.4) etj. Totali: 135.9 milionë.
2014/2015 – Ndihen rregullat e Fair Play Financiar. PSG shpenzon vetëm 50 milionë euro për David Luiz.
2015/2016 – Shpenzimet rriten me blerjen e Di Marias (63 milionë), Kurzawas, Aurier e Trapp. Totali: 116 milionë euro.
2016/2017 – Mbërrijnë në “Parc des Princes” Draxler, Guedes, Krychowiak, Jesé, Lo Celso e Meunier. Totali: 138.5 milionë.
2017/2018 – PSG bën çmendurinë e merkatos, duke thyer rekordin me blerjen e Neymar dhe Mbappé për 418 milionë euro në total.