Lajmet e fundit
“Tani i njoh më tepër futbollistët e mi. Duhet vlerësuar momentin delikat të sezonit sepse është vetëm fillimi dhe shumë lojtarë po luajnë me vështirësi në klubet e tyre"

Trajneri italian, Christian Panucci e ka nisur mirë aventurën te Shqipëria, pasi ka fituar ndaj Lihtenshtajnit dhe ka barazuar me Maqedoninë.
Panucci, në konferencë për shtyp të mbajtur gjatë ditës së enjten në ambientet e FSHF-së, analizoi me detaje dy ndeshjet me Lihtenshtajnin e Maqedoninë.
“Tani i njoh më tepër futbollistët e mi. Duhet vlerësuar momentin delikat të sezonit sepse është vetëm fillimi dhe shumë lojtarë po luajnë me vështirësi në klubet e tyre. I trembesha shumë këtyre dy ndeshjeve, pikërisht prej gjendjes fizike të skuadrës. Siç e pamë, Franca me Luksemburgun barazoi. Mundëm Lihtenshtajnin dhe u duk gjithçka e thjeshtë, por absolutisht nuk ishte e lehtë”, ka deklaruar ai.
“ Në fund jam i kënaqur nga këto dy ndeshje, sepse Lihtenshtajni nuk goditi asnjëherë në portë, edhe pse kemi luajtur shumë ngadalë në 30 minutat e para, por duke patur një ide për atë që duhet të bënim në fushë. Ndërsa, në pjesën e dytë skuadra e qarkulloi topin më shpejt, gjetëm avantazhin. Kemi lojtarë si Memushaj, Ajeti apo Roshi që kanë vështirësi në skuadrat e tyre dhe kishin pak minuta në këmbë”.