Lajmet e fundit

Nxënësit e shkollës fillore “Tefik Qanga” në fshatin Ballaban të Prishtinës nuk e nisën mësimin në ditën e parë të gjysmëvjetorit të dytë, për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe ngrohjes.
Pavarësisht se kishin përshkuar rrugë të rrezikshme me ngrica për të arritur në shkollë, nxënësit u njoftuan se procesi mësimor nuk do të zhvillohej. Mësuesi i tyre zhvilloi vetëm një bisedë të shkurtër dhe u dha një detyrë shtëpie, raporton Kiks Kosova.
Nxënësit shprehën gëzim për rikthimin në shkollë, por edhe shqetësim për të ftohtin dhe rrezikun e rrugës që përshkojnë çdo ditë.
Mësimdhënësi Behxhet Sherifi tha se mungesa e rrymës, vështirësitë në transport dhe gjendja e keqe e rrugëve shpesh i detyrojnë të shkurtojnë orarin mësimor. Ai u bëri thirrje institucioneve që të ndërmarrin masa konkrete, duke theksuar se fëmijët po dëmtohen më së shumti nga mungesa e mësimit.
Sipas Sherifit, braktisja e fshatit ka ndikuar në rënien e numrit të nxënësve, por kjo, siç thotë ai, nuk duhet të jetë arsye për t’ua mohuar të drejtën për arsimim. /Klankosova.tv