Lajmet e fundit

Ajo çfarë e kam thënë edhe në intervistën e fundit në fakt për Zërin e Amerikës para pak muajsh kur isha në seancën e Këshillit të Sigurimit, është kjo: në qoftë se të gjithë jemi të bindur edhe ne edhe partnerët tanë që Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes, atëherë ne duhet t’i rikthehemi strategjisë së viteve 2007-2008, në kohën kur bëheshin negociatat për statusin e Kosovës. Marrëveshja jonë, dakordimi ynë, ka qenë me partnerët, jo me Serbinë, sepse Serbia nuk e donte Ahtisaarin dhe neve na duhet një dakordim i tillë.
Nëse Kosova do t’i zbatojë të gjitha këto detyrime që i ka marrë, na duhen garanci për sigurinë, mbështetje ndërkombëtare, anëtarësim në organizata ndërkombëtare, jo si transaksion, por si projekt i cili përfundimisht e mbyllë këtë temë dhe sjell më shumë paqe e siguri në rajon.
Zëri i Amerikës: Megjithatë zonja Presidente, ju thatë që Serbia nuk po plotëson pjesën e saj të marrëveshjes, por sa i takon Asociacionit, që është pjesa më e nxehtë e saj. Ka vëzhgues që si shtet sovran, i takon Kosovës që të hedhë hapa në këtë drejtim. Këtu po flasim për qytetarët tuaj, për atë përqindje të komunitetit serb që janë qytetarë të Kosovës. Cili është mendimi juaj në këtë rast?
Vjosa Osmani: Natyrisht që i takon Kosovës që të ndërmarrë hapa për Asociacionin dhe i takon Serbisë që të ndërmarrë hapa drejt njohjes de fakto. Të dyja janë në marrëveshjen e njëjtë. Ne nuk mund t’i injorojmë nenet 1 deri 6 dhe të kërcejmë vetëm tek neni 7 dhe të kërkojmë vetëm zbatimin e një neni. Kosova nuk po thotë që nuk do të formohet Asociacioni.
Zëri i Amerikës: Kjo ka lidhje me marrëveshjen. Unë po them ju si shtet në raport me qytetarët tuaj.
Vjosa Osmani: Në raport me qytetarët tanë ne nuk do të duhej ta krijojmë përshtypjen që Asociacioni ndihmon qytetarët serbë në Kosovë. Në fakt sistemi më i avancuar i të drejtave të pakicave ekziston në Republikën e Kosovës tani, me Kushtetutën aktuale, me ligjet e pakos së Ahtisaarit dhe me ligjet e tjera të cilat ne i kemi miratuar si rezultat i marrëveshjeve të dialogut.
Me Asociacionin, ju siguroj një gjë, vetëm sa pakësohen të drejtat e qytetarëve dhe fuqizohet një lloj pushteti mbi ta, pra liderët e Asociacionit, të cilët Vuçiqi për momentin e ka qëllimi t’i kontrollojë dhe në njëfarë mënyre ta bëjë Kosovën shtet jofunksional. Pra Asociacioni nuk ju jep më shumë të drejta qytetarëve serbë, por përkundrazi merr më shumë të drejta nga poshtë dhe i dërgon ato lart, që është në kundërshtim me parimet bazike të Këshillit të Evropës, sipas të cilit për t’i fuqizuar komunitetet pakicë duhet të ketë më shumë sovranitet nga lart poshtë dhe jo e kundërta. Asociacioni në fakt bën të kundërtën.
Edhe vet juristët eminentë të Këshillit të Evropës kanë deklaruar që ajo nuk është në përputhje me parimet e Këshillit të Evropës. Megjithatë, ne e kemi dhënë premtimin dhe Kosova është shtet serioz. Kur ndërmerr një detyrim ndërkombëtar, duhet ta zbatojë atë. Por zbatimi i Asociacionit është në kuadër të një procesi dhe ai proces është Marrëveshja Bazike.
Zëri i Amerikës: Në ç’rrethana do të bënit lëshime për të filluar të paktën procesin e themelimit të Asociacionit, që mund të ishte për shembull, çuarja në Gjykatë Kushtetuese? Jo nga ju, meqë ju nuk e keni kompetencë këtë...
Vjosa Osmani: Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vet aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, sidomos ai i vitit 2015, e kanë sqaruar procedurën. Pra, duhet të ketë një akt nga ana e Qeverisë, që e miraton atë dokument dhe pastaj unë mund ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, por jo pa një akt të tillë fillimisht. Kështu kanë qenë praktikat pas vitit 2018 e tutje.
Mirëpo duhet ta them qartë – që krijimi i Asociacionit nuk nënkupton që Kosova është e gatshme të bëjë koncesione që e dëmtojnë funksionalitetin e saj, kufijtë e saj, parimin e unitaritetit të shtetit dhe parimet që janë në Kushtetutën aktuale dhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Asociacioni mund të krijohet, mirëpo vetëm brenda këtyre suazave, pa e rrezikuar Kosovën apo edhe sigurinë në rajon në të ardhmen. Prapë, siç e kam thënë edhe në intervista paraprake, mendoj që Kosova do të duhet të ishte e gatshme të ecë përpara në qoftë se nga partnerët tanë ofrohen garanci të qarta të sigurisë dhe garanci për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe me njohje.
Zëri i Amerikës: Nuk i kanë ofruar partnerët këto?
Vjosa Osmani: Deri tani kanë qenë më shumë ‘do të përpiqemi, do ta shohim, ndoshta. Përfundojeni ju fillimisht e pastaj bisedojmë.’ Mendoj që ka ardhur koha që ne të kemi një plan të përbashkët me aleatët tanë dhe kur them me aleatët këtu duhet roli drejtues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse siç dëshmon historia jonë, vetëm atëherë në rajonin tonë ka pasur sukses që çon drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme dhe afatgjatë. Pra të ulemi bashkë me partnerët tanë, ne e bëjmë këtë, pastaj i marrim nga ana e partnerëve tanë garancitë për siguri, pasi duhet të sigurohemi që ajo çfarë po ndodh në Bosnjë, asnjëherë të mos ndodhë në Kosovë.
Sepse kjo jo vetëm që nuk është në interes të qytetarëve tanë, pavarësisht cilës etni, por as nuk është në interes të paqes dhe stabilitetit rajonal e pastaj si rrjedhojë, e gjithë kontinentit tonë.
Zëri i Amerikës: Zonja presidente ju e dini që vizita juaj këtu në Uashington është ndër të rrallat të zyrtarëve të lartë nga Kosova, për shkak të marrëdhënieve tejet problematike mes Kosovës dhe Uashingtont. Cili është mendimi juaj? A janë ato në pikën më të ulët sot? Vjosa Osmani: Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës institucioni i presidentit udhëheq politikën e jashtme. Pra është gjëja më normale që ftesat për në Uashington, për në Nju Jork, për në samitin e ‘Europian Political Community’, ku unë do të udhëtoj pas pak ditësh, në samitin EU Western Balkans, në samitin e Paqes për Ukrainën, ku isha, të jenë për presidenten sepse ky është zbatim i kushtetutës së Republikës së Kosovës. Dhe kështu ka qenë gjithnjë edhe me presidentët paraardhës, të cilët e kanë përfaqësuar Republikën e Kosovës në aspektin ndërkombëtar. Në asnjë mënyrë unë nuk do të thoja që po injorohet Kosova, në fakt nuk ka asnjë shtet të rajonit që është më prezent sesa Kosova, qoftë në Uashington qoftë në samite të tjera dhe kudo që na jepet mundësia jemi shteti më aktiv me punët tona, natyrisht me raportet tona, me shtetet veç e veç. Tani unë nuk dua të sillem këtu kinse se po i injoroj problemet. Natyrisht ka patur dallime natyrisht në qasje, jo në qëllim, por në qasje në raste të caktuara, mes zyrtarëve amerikanë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës. Megjithatë si presidente e Republikës vazhdimisht bëj thirrje për shkak të interesit të Kosovës, dhe për këtë shkak duhet të shohim shumë më afatagjatë, dhe jo vetëm për ndonjë fitore të momentit që tema që kanë bëjnë me sigurinë në Kosovë dhe në rajon, meqenëse të gjitha varen edhe nga partnerët tanë të sigurisë, dhe për shkak të kontributit të tyre dhe për shkak se janë pjesë e këtyre aleancave të vlerave, ne duhet t’i dakordojmë, t’i koordinojmë, t’i flasim paraprakisht me partnerët tanë. Sepse besimi i ndërsjellë është elementi më i rëndësishëm, në çdo raport edhe në politikën e brendshme, por edhe ndërkombëtarisht. Unë jam e bindur që veprimet që bëhen si befasi, në raport ndaj partnerëve, pavarësisht qëllimit legjitim dhe përputhjes me kushtetutën, në aspektin afatgjatë nuk mund t’i ndihmojnë Kosovës, përkundrazi vetëm në qoftë se ato koordinohen me partnerët sidomos me aleatët tanë në SHBA. Zëri i Amerikës: Zonja presidente pas disa muajsh këtu në Shtetet e Bashkuara do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Një pjesë e udhëheqësve të NATO-s kanë shprehur shqetësimin e tyre në rast të ndryshimit të administrave, kjo parë në raport me qëndrimet e zotit Trump ndaj NATO-s, skepticizmit ndaj aleancës. A jeni të shqetësuar ju në këtë aspekt? Vjosa Osmani: Si presidente e Republikës së Kosovës nuk më takon mua të komentoj qëndrimet e kandidatëve për zgjedhjet këtu në SHA. Ajo që dua të them është se cili është qëndrimi i Republikës së Kosovës sa i takon NATO-s. NATO është aleancë që ka shpëtuar Kosovën nga shfarosja, NATO është aleanca më e suksesshme politiko-ushtarake në historinë e njerëzimit. Të jesh në NATO do të thotë të jesh i sigurt. Sa më shumë NATO, sa më shumë prezencë e NATO-s edhe në rajonin tonë, sa më shumë shtete në NATO, aq më paqësore dhe prosperuese do të jetë bota mbarë.