Major Getoar Rexhepi, në Kampionatin e 27-të Kombëtar të Karatesë për moshat kadet, junior, U21 dhe senior, të mbajtur në Republikën e Shqipërisë, është shpallur kampion kombëtar në karate.
Gara u zhvillua në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, ku morën pjesë rreth 80 sportistë në dy disiplina të ndryshme, kata dhe kumite, si dhe rreth 20 ekipe nga e gjithë Shqipëria, transmeton klankosova.tv.
Në një konkurrencë të fortë dhe duke pasur parasysh nivelin e lartë të garuesve, si në disiplinën e katave (demonstrime), ashtu edhe në disiplinën e kumites (ndeshje), majori Rexhepi arriti të kurorëzohet kampion për vitin 2026.
Ky aktivitet konsiderohet si ngjarja kryesore në nivel kombëtar për sportin e karatesë.
Arritja e majorit Rexhepi dëshmon përgatitjen, disiplinën dhe përkushtimin e lartë të ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, jo vetëm në detyrat e tyre, por edhe në aktivitetet sportive, ku rezultatet vazhdimisht janë në nivel të lartë.
●●●
KGSHKRIMI NGA
Kasim Gerbeshi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.