Trajneri i Sigal Prishtinës, Andin Rashica, dhe ish-basketbollisti dhe trajneri i basketbollit, Ismet Ferati, kanë theksuar rendësinë e ndeshjes së tretë të finale të Supërligës së Basketbollit në mes të Pejës dhe Yllit, e cila mund të jetë edhe loja e fundit e serisë - nëse Ylli fiton.
Rashica vlerëson se të dy ekipet janë nën presionin e fitores sepse, Yllit i duhet për t'u shpallur kampion, ndërsa, sipas tij, Pejës i nevojitet për ta vazhduar serinë në Suharekë.
"Si Peja ashtu edhe Ylli do ta kenë presionin e fitores, cila do ta menaxhojë këtë do ta fitojë takimin", tha Rashica për KlanKosova.tv.
Ai thekson se është skuadra e Pejës së cilës është duke i munguar energjia.
"Edhe pse këto dy ndeshje Peja ishte në hendikep pa AJ Walton dhe LeRon Dendy, prapëseprapë ekipi po lufton deri në fund, mirëpo po vërehet që po mungon energjia në fund të takimit"
Ndërsa ish-basketbollisti dhe trajneri i basketbollit Ismet Ferati, i cili është shpallur kampion me Sigal Prishtinën dhe Mabetex, ka cilësuar fitoren e mundshme të Pejës si të arritshme, për shkak të lojtarëve që posedon skuadra pejane.
"2 me 0 është përparësi e madhe për Yllin por jo dhe e paarritshme për Pejën duke pasur parasysh kualitetin që kanë lojtarët e Pejës", tha Ferati për KlanKosova.tv
Megjithatë, Ferati nuk sheh kualitet tek trajneri i Pejës, përkundër tek ai i Yllit.
"Përparësinë e Yllit e shoh tek trajneri, sepse mendoj qe trajneri i Pejës nuk ka kualitet të mjaftueshëm për t'i udhëhequr lojtarët e Pejës", tha Ferati.
Ylli është duke avancuar 2 me 0 në finalen e Superligës së Kosovës në Basketboll.
Këtë të martë me fillim nga ora 20:15, përballet Peja kundër Yllit në sallën "Karagaqi".
Ndeshjen mund ta ndiqni drejtpërdrejt në Artmotion.
●●●
NSHKRIMI NGA
N.Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.