Lajmet e fundit

Një pjesë të vlerësueshme të historisë së shqiptarëve në shek. e 19-të e kemi nga europianët. Ata e panë dhe shkruan, e pikturuan dhe e dokumentuan përmes udhëtimeve të William Martin Leake, William Gell, Ami Boue, Johan Georg fon Han dhe madje edhe e fotografuan me të parat pajisje dritëshkronjë që mbërritën prej fotografit Jozef Szekely (1863). Udhëtarë të mëdhenj, poetë e studiues, piktorë, ëndërrimtarë e aventurierë përshkuan trojet ku banonte kombi ynë, nga Gjiri i Artës, Janina e Manastiri, Kurshumlie, Novipazar e deri në bregun e epërm të Tivarit.
Ndërsa Bajroni ua përshkroi artistikisht europianëve racën e tiparet e shqiptarëve përmes poezisë, një tjetër bashkëkombës i tij, Eduard Lear, ua paraqiti vendet ku jetonte ky popull përmes peizazheve, nga ku ngjyrat përcillnin grishje magjepsëse për t’i parë këto vende e që s’vonoi të ngërthente dhjetëra të tjerë. Deri në këto kohëra udhëtarësh europianë, ne rrallëherë e kishim vlerësuar veten dhe vendin. Ndodhur nën pushtimin obskurantist otoman, ishim pothuaj analfabetë dhe kombit i mungonte një elitë intelektuale, e cila ende nuk kish filluar të ngjizej. Por europianët, me qytetërimin e tyre, me epërsinë kulturore, ishin në gjendje të bënin diçka për ne dhe ta bënin mirë paraqitjen e këtyre njerëzve, që mbartnin si histori të tyre e njiheshin përpos se si populli që u bëri rezistencë pushtuesve turq, me heroin Skënderbeg.
Paketa Digitalb ka disa javë që te dokumentarët jep një cikël për artin kulinar mesdhetar, që drejtohet nga një mjeshtër kuzhine si britaniku Rik Staini. Rasti e deshi që në një të diel të ndodhesha duke ndjekur atë që fliste për Korsikën, kur, befas, filloi të jepte disa shembuj nga Eduard Lear dhe shoqëruesi i tij shqiptar, Gjergj Kokalli, i cili ua paraqiste vendasve korsikas piktorin si ministër i Financave të Anglisë. Në javën pasardhëse, nuk vonoi dhe Rik Staini u rishfaq për të paraqitur kuzhinën popullore të ishullit të Korfuzit. Dhe ku shkoi ai, do thoni ju? Te një familje ku e moshuara e shtëpisë e kish emrin …Lule!? Pak më tej, te një familje tjetër me mbiemrin Sulotis. Provoni t’i hiqni prapashtesën tipike “s” që grekët u ngjisin nga pas emrave dhe na del një familje me mbiemrin Sulioti dhe tjetra me emër tipike shqiptare. Emra të onomastikës shqiptare ndesh plot në ishull: Petriti, Mani, Molos, vatha, petale.
Shqiptarët e Korfuzit Për ne shqiptarët, ishulli i Korfuzit, “Ksamil”-je larg bregut shqiptar, ka qenë e vazhdon të mbetet ende një ujdhesë po aq e largët sa dhe ishulli fantazmë i thesarit. Tregtarët e vegjël lebër të gjysmës së parë të shekullit XX, që shkonin të shisnin atje lëkurë, lesh, gjalpë e djathë e të blinin drithë, as që bëhet fjalë se mund të na linin ndonjë kujtim apo kronikë të shkruar. Nga të tjerë të mëpasshëm, emigrantë politikë apo ekonomikë, nuk kam mundur të gjej ndonjë të dhënë, përpos shtypjes së ca pullave postare në çerekun e parë të shek. XX. Gjithashtu, edhe versionin e mbërritjes nga Amerika të flamurit kombëtar që u ngrit në Vlorë ditën e shpalljes së pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, version që vjen nga gazeta “Dielli”, sipas të cilit na thuhet se flamuri ishte përgatitur nga kolonia shqiptare e Bostonit në vitin 1911 dhe patrioti Nuçi Naçi e shpuri deri në Korfuz, ku ilegalisht e mori Marigoja, të fshehur në veshjen e saj. Rrëmoj nëpër libra, ku përpos historisë që na rrëfen Aleksandër Duma tek “Ali Pashë Tepelena-Krime famëkeqe”, botim i “Saras”, nëpër botime të tjera të ndryshme gjej plot të dhëna të vyera. Mbresa nga gjetjet dhe kërkimet është sa befasuese aq dhe tërheqëse.
Historia e ishullit ka shumë ngjashmëri dhe fate të njëjta me bregun shqiptar që shtrihej në kahun lindor të tij. Historianët na thonë se fisi liburn themeloi shtatë shekuj para Krishtit Korkyrën; u bë më pas një koloni e Korinthit; nga viti 299 p.e.r u pushtua nga romakët e me radhë bizantinët, normanët, gjenovezët, anzhuinët, tarantasit, Tocco-t, despotët shqiptarë, napolitanët, deri sa mbërrijnë venedikasit. Ishte mbreti i Napolit që ua shiti ishullin venedikasve në vitin 1404, për 30 mijë dukatë. Për shekuj të tërë ka qenë nën hierarkinë e kishës katolike. Përkarshi bregut kontinental, Venediku vuri nën sundim dhe nën një qeverisje me Korfuzin qytetet-porte, Prevezën, Butrintin dhe Pargën, që quheshin “bregdeti shqiptar”. Në vitin 1716 mbërrijnë gjermanët që mbrojnë ishullin nga rrethimi turk dhe në 1797, francezët. Për pak kohë madje edhe rusët. Të gjithë këta popuj kanë lënë atje gjurmët e tyre.
Shqiptarët e Pargës
Pargës i njihet si kohë themelimi shek. XIII me themelues të saj shqiptarët e krishterë. I ngritur në breg të Detit Jon, qyteti qëndronte e ngrihej në një shpat të pjerrët. Në shpinë të saj ndodheshin vendbanimet shqiptare të Rrapësës, Livadhit, Lëkurësit, Shënedjellës dhe Tabanit. Përkarshi është një ishullth, ku banorët kishin ngritur objektin e kultit, Klish’ e Shën Mërisë. Banorët e Pargës ishin krejt të ndryshëm nga grekët. Vetëm kishat kishin pak ngjasime në rite, por të qenët 400 vite, nga viti 1404 zotërim i Vendikut, kish kultivuar atje edhe rite e arkitekturë katolike. “Në kisha greke, mesha çohej me ritin latin dhe anasjelltas. Riti grek filloi të zmbrapsej gjatë shek. XVII. Liturgjia latine e kish fituar betejën…Ritin ortodoks nuk e praktikonin vetëm grekët. Ky u përkiste gjithashtu shumë shqiptarëve”, – shkruan te “Historia e Adriatikut” historiani Oliver Chaline. Ata ishin shqiptarë të Çamërisë dhe flisnin siç flasin edhe sot e gjithë ditën çamët e moshuar që jetojnë në Shqipëri. Po i njëjti autor te kjo vepër na kujton se “…gjuha (greke) do flitej në një gjendje dialektore deri në vitin 1930”. /Gazeta Shqip