Lajmet e fundit

Violinistja Ervis Gega Dodi në një rrëfim për karrierën, ikjen nga Shqipëria dhe jetën në Gjermani.
Violina është gjithçka në jetën e Ervis Gega Dodit. Me një karrierë të gjatë në këtë instrument, ajo është sot një nga artistet më të suksesshme, duke interpretuar në shumë skena ndërkombëtare. Vetëm pak ditë më parë, me rastin e festave të pavarësisë së bashku me Konsullen e Nderit të Shqipërisë në Landin e Rhenanisë Veriore-Veshtfalisë, zonjën Anduena Stephan, përgatitën një aktivitet të gjerë, të një natyre siç nuk është organizuar më parë në Gjermani, për nder të Festës së Pavarësisë së Shqipërisë. Ervis jeton në Bon të Gjermanisë bashkë me familjen e saj.
Sa vite në skenë tashmë? Si do ta përshkruanit karrierën tuaj në këtë pikë? Çfarë ka ndryshuar ose çfarë prisni të ndryshojë?
Emocionet e para në skenë i kam përjetuar në moshën katërvjeçare. Po natyrisht, karriera ime nisi pas ardhjes në Perëndim, në moshën 16-vjeçare. Meqenëse unë tani jam 41 vjeç, mund të them se në skenë debutoj prej 37 vjetësh. Ose 25 vjetësh, si ta shohësh. Për sa i përket karrierës sime deri tani mund të them me plot gojën që është një karrierë e shumanshme. Kjo në përputhje me dëshirën time të hershme, që jo vetëm të debutoj si soliste, por edhe që dijet dhe mjeshtërinë muzikore t’ua përcjell të tjerëve. Ndjek prej jo më pak se 15 viteve një karrierë paralele: si soliste, si pedagoge studentësh dhe si Koncertmaestre në Filarmoninë Klasike të Bonn-it, ku edhe jetoj së bashku me familjen time. Për sa i përket pyetjes suaj se çfarë pres të ndryshoj … mund të shtoj vetëm se dëshiroj që ky trekëndësh që po ndjek me sukses prej 15 vitesh, të vazhdojë edhe për shumë vite po me këtë intensitet që kam tani.
Në tetor, ju ishit në Kinë për të përfaqësuar Gjermaninë në kuadrin e komunikimit kulturor midis Gjermanisë dhe Kinës. Si do ta përkufizonit një mundësi të tillë midis shumë të tillave që keni pasur?
Landi apo Republika Gjermane e Rheinland-Pfalzit, ku unë jap mësim, më zgjodhi ta përfaqësoj në një turne dyjavor, pjesë e partneritetit me një rajon të Kinës. Sekretari i shtetit, Walter Schumacher, dhe një delegacion politik, më shoqëruan në këtë turne. U ndjeva natyrisht shumë e privilegjuar për këtë zgjedhje që bënë dhe e lumtur për udhëtimin, pasi këtë radhë luajta përveçse në Pekin e në Shanghai, edhe në qytete e salla të tjera, ku nuk kisha qenë më parë. Kultura aziatike vërtet më mrekullon. Zhvillimi ekonomik i dekadave të fundit në Kinë ka bërë që kinezët të ndërtojnë edhe salla koncertesh shumë madhështore: të bukura optikisht dhe të mrekullueshme për sa i përket akustikës. Interesi për instrumentistë të njohur nga Europa në Kinë është shumë i madh. Kjo, megjithëse mikpritësit tanë bëjnë një investim shumë të madh te fëmijët e tyre, të cilëve u mësojnë një instrument muzikor që në moshë shumë të vogël.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/12/03/nje-jete-me-violinen/