Shkëlqimin e kanë filluar yjet e rinj.
Disa nga ta për herë të parë të ftuar tek Kosova A, e të tjerë me diçka më shumë përvojë.
Të përzgjedhurit e selektorit Alain Giresse stërvitën të martën në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, për dy ndeshjet miqësore që do të zhvillohen në nëntor.
“Këto dy ndeshje të cilat do t’i zhvillojmë, kam këtë plan: përzgjedhje kjo në të cilën parashihet tu jepet mundësi futbollistëve të rinj, atë listë prej 21 futbollistëve që e keni parë. Lista e lojtarëve do të jetë një mundësi për t’i parë ata se si do të prezantohen në ndeshje ndërkombëtare. Kjo është strategjia dhe arsyeja pse kemi bërë këtë përzgjedhje”, deklaroi selektori Alain Giresse.
Pasi janë miqësore, synon të bëj shumë zëvendësime.
“Do të mundohem t’i fus të gjithë në lojë që të mund t’i tregojnë vlerat e tyre. Sa i përket stilit të lojës varet nga lojtarët që i kemi grumbulluar, nga kualiteti dhe pozita në të cilën luajnë. Për një pjesë të futbollistëve që do të jenë për herë të parë në një ndeshje ndërkombëtare, do të jetë një parapërgatitje për ta, t’i vendosim ata në pozitat e tyre natyrale në mënyrë që të mund të zhvillohen sa më shumë”, shtoi Giresse.
Nga Superliga janë ftuar pesë futbollistë, e në konferencë doli ai i Ballkanit, Lindon Emerllahu.
“Jemi të gjithë lojtarë të rinj, shpresojmë të paraqitemi sa më mirë, t’i tregojmë vlerat tona dhe pse të mos ftohemi edhe për ndeshjet tjera”, ka thënë Emerllahu.
Kosovë – Armeni zhvillohet të mërkurën dhe Kosovë – Ishujt Faroe të shtunën. Të dyja ndeshjet zhvillohen nga ora 18:00 në stadiumin Fadil Vokrri dhe transmetohen direkt në Klan Kosova.

●●●
ESSHKRIMI NGA
Emanuell Syla
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.