Një shtetas britanik është arrestuar nën dyshimin për spiunazh dhe vepra penale terroriste në Qipro.
Burri raportohet se e ka mbajtur nën mbikëqyrje bazën RAF Akrotiri në ishull dhe dyshohet se ka lidhje me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, raportuan mediat lokale, raporton "PA Media", transmeton Klankosova.tv.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike tha: “Jemi në kontakt me autoritetet në Qipro në lidhje me arrestimin e një burri britanik”.
RAF Akrotiri është baza ajrore më e rëndësishme e Mbretërisë së Bashkuar për operacionet në Lindjen e Mesme.
Faqja e internetit “Philenews” tha se burri u arrestua të premten pas informacioneve se ai po planifikonte një sulm të terrorist së shpejti.
Ai dyshohet se ka jetuar në një apartament në Zakaki, Limasol, afër Akrotirit dhe është parë pranë bazës duke mbajtur një aparat fotografik me një lente të gjatë dhe tre telefona celularë.
Raportet lokale thanë se ai ishte azerbajxhanas, por Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se po punonin me autoritetet qipriote për arrestimin e një britaniku.
Aeroplanët RAF Typhoon nga Akrotiri u përdorën për të mbrojtur Izraelin nga sulmet iraniane me dronë dhe raketa vitin e kaluar, megjithëse nuk kanë qenë të përfshirë në luftimet aktuale midis dy rivalëve në Lindjen e Mesme.
Baza përdoret gjithashtu për fluturime si pjesë e Operacionit Shader për të luftuar militantët e Shtetit Islamik. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.