Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës ka nisur shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që Presidenti ose Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.
Anëtari i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Adnan Rrustemi, bëri të ditur se komisioni është ngarkuar me këtë detyrë nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për të shqyrtuar amendamentet dhe për të zhvilluar procedurat e nevojshme institucionale.
Sipas Rrustemit, propozimet synojnë të ndryshojnë mënyrën e zgjedhjes së presidentit, duke kaluar nga zgjedhja në Kuvend në zgjedhje të drejtpërdrejtë nga populli.
Ai theksoi se këto amendamente mbështeten me arsyetimin se një model i tillë do të ndihmonte në eliminimin e ngërçeve politike që në të kaluarën kanë penguar funksionimin normal të institucioneve dhe kanë rrezikuar stabilitetin institucional.
“Me këtë mënyrë synohet të shmangen bllokadat politike që shpesh kanë shoqëruar procesin e zgjedhjes së presidentit në Kuvend, duke krijuar më shumë stabilitet dhe funksionim më të qëndrueshëm të institucioneve,” theksoi Rrustemi.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.