Lajmet e fundit

Bienalja nomade evropiane - Manifesta 14
Një prej bienaleve më të mëdha të artit në botë, që asnjëherë më parë nuk ishte mbajtur në ndonjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, këtë vit zuri vend pikërisht në kryeqytetin e shtetit më të ri në Evropë.
Prishtina për herë të parë pati fatin të bëhej nikoqire e Manifesta 14, që për 100 ditët e saj, me ekspozita, shfaqje dhe organizime të ndryshme kulturore, i dha kryeqytetit një pamje krejtësisht tjetër.
Nga 22 korriku e deri më 30 tetor, ky organizim i bëri bashkë veprat e më shumë se 100 artistëve vendorë e ndërkombëtarë dhe i ekspozoi ato nëpër 25 lokacione të ndryshme.
Bienalja me organizimin e saj arriti që ta kthejë vëmendjen e shoqërisë te hapësirat e braktisura dhe të harruara për të cilat ka pasur tendenca edhe të rrënohen e privatizohen. Gjatë 100 ditëve, hapësirat si Grand Hoteli, Kino Rinia, Fabrika e Tullave, Memoriali i Martirëve të Luftës së Dytë Botërore dhe reparti i ish-shtypshkronjës “Rilindja”, morën vëmendjen institucionale dhe tani po shqyrtohet e planifikohet që këto hapësira të rivitalizohen dhe të kthehen në shërbim të publikut.
Sipas të dhënave të Manifesta 14, gjatë programit 100 ditor bienalja ka mirëpritur afro 800 mijë vizita në ambiente të brendshme dhe ato publike.
Përveç kësaj, ky organizim solli turistë të shumtë e gazetarë të huaj të cilët patën rastin të shohin nga afër se Prishtina nuk duket më si një kryeqytet i porsadalë nga lufta me makiatot më të mira në botë - ata patën rastin ta përjetonin realitetin e ri në vend.
“Për një vend po aq të ri sa Kosova, e cila arriti pavarësinë në vitin 2008, ardhja e Manifesta-s këtë verë ishte një grusht shteti, duke sjellë qindra kuratorë, tregtarë dhe kritikë në Prishtinë dhe duke i dhënë qytetit një moment të rrallë të vëmendjes së botës së artit ndërkombëtar”, është kjo pjesë e shkëputur nga një artikull i gjatë i shkruar për Manifesta 14, i gazetës më prestigjioze amerikane, "The New York Times".
Edhe pse programi 100 ditor i kësaj bienaleje përfundoi në fund të muajit tetor, Manifesta 14 ende nuk ka mbaruar punë në Prishtinë.
Për herë të parë në historinë e saj 28 vjeçare, Bienalja Nomade Evropiane mori përsipër përgjegjësinë për të themeluar një institucion të qëndrueshëm i cili do të vijojë veprimtarinë për katër vjet pas përmbylljes së programit Manifesta 14.
Festivali ndërkombëtar i muzikës - Sunny Hill
Festivali më i madh i muzikës në Kosovë i organizuar nga vetë këngëtarja kosovare me famë botërore Dua Lipa dhe nga babai i saj Dukagjin Lipa, veçse kishte nisur të bëhej një ngjarje kulturore tradicionale në vend.
Pas dy edicioneve të suksesshme të mbajtura në vitin 2018 dhe 2019, të cilat i sollën kryeqytetit artistë vendorë e të huajë dhe me mijëra turistë nga vende të ndryshme të botës, ishte pandemia ajo që nuk e la të zhvillohej në dy vitet pasuese.
Në vitin 2022, kur virusi u duk se humbi fuqinë dhe jeta publike kishte nisur të hapej, ishte vetë pop artistja ajo e cila njoftoi se do të mbahet edhe edicioni i tretë i Sunny Hill në Prishtinë. Ky paralajmërim i gëzueshëm i cili u mirëprit nga shumëkush në rrjete sociale, shpejt u kthye në hidhërim kur u kumtua lajmi tjetër nga të njëjtit organizatorë se edicioni do të zhvendosej në Tiranë.
“Data e njëjtë, përvoja të njëjta të mrekullueshme, lokacion i ndryshëm! Sunny Hill Festival do të lëvizë në Tiranë”, njoftonte Dua Lipa duke e postuar lajmin e faqes zyrtare të Sunny Hill në llogarinë e saj të Instagramit.
Organizatorët fajësonin institucionet e shtetit për mosdhënie të parcelës së premtuar prej 17 hektarësh në Bërnicë, Prishtinë, ku parashihej që në të ardhmen të mbahet festivali. Ndërsa ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, i ishte përgjigjur kësaj akuze duke thënë se “Procesi i vendimmarrjes kërkon kohë për të qenë i plotë dhe për të mos qenë i gabuar apo abuziv”.
Të përballur me reagime të shumta nga figura publike dhe qytetarë të shumtë, ku disa i akuzonin organizatorët e festivalit për tradhti, e disa të tjerë institucionet shtetërore për neglizhencë, nuk vonoi shumë dhe u vendos që edicioni i tretë përfundimisht të mbahej nga data 4 deri më 7 gusht në Parkun e Germisë – aty ku ishte zhvilluar edhe në dy edicionet e kaluara – dhe, pastaj të zgjerohej për herë të parë edhe në Tiranë.
Qershia mbi tortë e këtij edicioni natyrisht se ishte Dua Lipa e cila qysh në natën e parë u shfaq në skenën e madhe dhe tashmë ndërkombëtare të festivalit ku ajo është bashkë-organizatore dhe me zërin e saj të veçantë i këndoi para publikut këngët e saj të reja e të vjetra, para një publiku të gjatë i cili ishte mbledhur pikërisht në qytetin ku ajo e kishte kaluar një pjesë të fëmijërisë.
Pas një pauze dyvjeçare, kjo ngjarje e madhe kulturore edhe një herë i mbushi “mushkëritë e Prishtinës" me frymë artistike duke mbledhur dhjetëra artistë të huajë dhe mijëra adhurues vendorë e ndërkombëtarë të muzikës së zhanreve të ndryshme, mu në Parkun e Gërmisë.
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër – DokuFest
Kryeqyteti nuk ishte nikoqiri i vetëm i ngjarjeve të mëdha kulturore këtë vit. 62 kilometra në jug të Prishtinës, një prej qyteteve më të vjetra dhe më të bukura të Kosovës – Prizreni, është po ashtu nikoqir i njërit prej festivaleve më të hershme pas çlirimit të Kosovës, i cili ka ndërtuar themelet dhe padyshim se është bërë festivali më jetëgjatë i filmit dokumentar dhe atij të shkurtër.
Pavarësisht traditës së gjatë, edhe këtë festival e pengoi pandemia dhe për këtë arsye, në vitin 2020, organizatorëve iu desh që ta organizojnë DokuFest-in online për faktin se qeveria kishte vendosur masa për parandalimin e përhapjes së virusit.
Në vitin pasues, kur pjesa dërrmuese e qytetarëve ishin vaksinuar dhe masat kishin filluar të lehtësoheshin, DokuFest organizoi festivalin e parë ku vendosja e maskës ishte e obligueshme. Edhe pse gjasat për bartjen e virusit ishin ende të mëdha, vizitorët mezi kishin pritur për një ngjarje të tillë, andaj, shumëkush udhëtoi drejt Prizrenit për të parë se çfarë do të shfaqej nëpër ekranet e këtij festivali.
Vetëm këtë vit kur bota filloi të kthehet në normalitet, edhe DokuFesti pati rastin ta organizojë formatin e plotë fizik, i cili rezultoi i jashtëzakonshëm. Nga data 05 e deri më 14 gusht, 270 filma u shfaqën nëpër 12 kinema të qytetit.
Përveç filmave, pati edhe seminare, panele, debate, ligjërata, ekspozita dhe një seri aktesh drejtpërdrejt që panë rikthimin e programit të muzikës, DokuNights, duke sjellë në Prizren koncerte nga artistë sikur "Hercules and Love Affair" dhe Edona Vatoci, si dhe shfaqje të DMX Krew, Sega Bodega dhe "Detroit in Effects".
Edicioni i 21-të i këtij festivali, padyshim se e shndërroi Prizrenin edhe një herë në një qendër të kinemasë, kulturës dhe artit, ashtu siç edhe i ka hije.
Gjatë vitit 2022, pati edhe shumë festivale, koncerte, ekspozita e manifestime interesante që u organizuan nëpër komuna të ndryshme të Kosovës të cilat i kishin munguar aq shumë, mirëpo Klan Kosova i ka përzgjedhur këto tri si festivalet më të mëdha që u zhvilluan gjatë verës së vitit të parë pa maska që nga shpërthimi i pandemisë.
Klankosova.tv