Lajmet e fundit

Si i zgjedh këngët që do të performosh? 90% të këngëve i kam nga melosi jonë i bukur. Pos që i dua, i performoj me shumë dashuri, por mundohem që edhe për dëshirën e publikut të përzgjedh ndonjë këngë që është në trend. E gjen veten më shumë te baladat apo te këngët ritmike? Baladat janë identiteti im në skenë. Nëse e keni vërejtur, kudo që paraqitem në skenat të cilat kanë edhe karaktere të pjesëmarrjes artistike siç janë festivalet, aty jam me baladë. Unë dhe balada jemi një në skenë. Ti njihesh edhe si këngëtare festivalesh dhe madje edhe je vlerësuar me çmime të rëndësishme. Çfarë ke për të thënë për festivalet në vendin tonë dhe rajon? Pjesëmarrja në festivale e ka fuqinë e vet, të jep mundësinë që tërë talentin ta shkrish në skenë. Është një ndjenjë e veçantë sepse jo shpesh kemi fatin të performojmë me një orkestër gjigante. Mendoj që na duhen më shumë organizime të tilla, por ende jemi larg njohjes së frymës së festivalit dhe rëndësisë që ka për artistët.
Si ka ndikuar mjedisi familjar, duke qenë se je rritur në një familje muzikantësh, në dashurinë tënde për muzikën? Është pjesa më e madhe e përkushtimit të suksesit tim deri këtu. Fillimisht ka ndikuar në edukimin tim, duke qenë se në vazhdimësi kam qenë afër netëve muzikore. Asnjë moment nuk ka qenë imponim i babait tim që të merrem me muzikë, por unë me kohën e kam gjetur veten aty. Pastaj përkrahja nuk ka munguar askund, gjithsesi edhe kritikat.
Të pëlqen të bashkëpunosh me babanë dhe vëllanë? A mund të thuash se muzika është diçka që ju ka bashkuar gjithmonë si familje?
Po, jemi një familje notash e tingujsh muzikorë hahaha. Gjithsesi, jemi të kompletuar bashkë, por jo gjithmonë mund të bashkëpunojmë për shkak të angazhimeve të ndryshme. Unë jetoj në Prishtinë, ata në Prizren, dhe kjo e pamundëson.
Si është të kesh një bashkëshort që është gjithashtu muzikant dhe që të shoqëron në performancat e tua live? A ka një lidhje të veçantë mes jush kur performoni bashkë?
Në këtë kohë besoj që jam me fat që jemi bashkë në skenë. I vetmi shqetësim që e kam është të performoj sa më mirë, ndërsa ai merret me krejt gjërat tjera. Ndodh ndonjëherë që kemi edhe ca nervoza të vogla gjatë performancës, që janë të natyrshme.
A të ndihmon muzika të tejkalosh barrierat kulturore dhe gjeografike, duke pasur parasysh që ti je nga Prizreni dhe bashkëshorti yt nga Tetova, ndërkaq jetoni në Prishtinë?
Është një sfidë në vete. Shija e publikut dallon, por sa i përket barrierës kulturore, është një çështje në vete. Njoh më shumë dëshira, di më shumë nga kultura, por në fund e kam kuptuar që shqiptaria është e madhe. Vështirësi ka edhe në këtë pikë, megjithatë në fund jemi bashkë në Prishtinë.
Jemi afër vitit të ri! Si do të festosh këtë fundvit, duke kënduar apo në shtëpi me familjen?
Kryesisht në ato pak data të festave mundohemi që t’i kalojmë bashkë me familje. Këtë vit kemi vendosur që në pritjen e vitit të ri të jemi bashkë me vajzën, ndërsa ditët tjera sigurisht me angazhime.
Cila është kënga e preferuar për të kënduar në natën e ndërrimit të viteve?
Është natë festive, gjenerata të ndryshme festojnë bashkë. "Moshë e bukur kjo rinia" është kënga që unë me dëshirë të madhe e këndoj në këto raste.
Si ka ndryshuar përvoja e ndërrimit të viteve gjatë viteve?
Ndryshim i madh për shkak të ndryshimit të kërkesave, sikur në familje ashtu edhe në angazhimin tim. Kur fëmija fillon të rritet, kërkesa edhe koha për të qenë afër është më e madhe. Mbrëmje të shumta këtë vit e kanë ndryshuar edhe ritmin e jetës. Megjithatë, jam e kënaqur shumë!
Për të gjithë ata që ndjekin punën tënde, si është Saranda kur nuk është në skenë? Si i kalon ditët?
Saranda në jetën e përditshme jep maksimumin për të përmbushur kërkesat e vajzës. Tërë ditën mundohem që të jem afër Arias, shkuarja në balet, pastaj kopshti dhe kërkesat që kanë pothuajse të gjithë fëmijët, angazhimi në shtëpi dhe çështjet në baza ditore që ka çdo familje.
Në fund, cilat janë disa nga arritjet që do të doje t'i mbaje mend nga viti 2024, dhe cilat janë ëndrrat dhe qëllimet e tua për vitet e ardhshme?
"Oxygen Show" mbetet pika ime e fortë e çdo viti. Siç e shihni çdo javë në Klan Kosova, ne mundohemi të japim maksimumin si ekip. Përfundimi i suksesshëm i projekteve afatgjata të angazhimit në mbrëmje të ndryshme, me publik të kënaqur, është sukses në vete. Uroj të kemi shëndetin dhe realizim të qëllimeve përgjatë vitit që vjen.
Audiencës së Klan Kosovës... Ju dua!