Çdo pasdite, Demba Jallow e gjen veten duke ecur nëpër sheshin e qytetit të Klinës me çantën e stërvitjes në krah.
Hapat e tij çdo ditë ndjekin të njëjtën rrugë, nga dhoma e vogël ku fle, deri te fusha e futbollit, që gjendet jo shumë larg apartamentit ku qëndron me qira.
Kjo rrugë, që për të tjerët është thjesht një kalim i zakonshëm, për të është bërë një betejë e përditshme mes shpresës dhe zhgënjimit, raporton KIKS Kosova.
Në qershorin e vitit 2024, atëherë 17-vjeçar, ai fluturoi nga Gambia e largët drejt një vendi për të cilin nuk kishte dëgjuar kurrë më parë – Kosovës.
Viza që kishte marrë i lejoi të qëndronte këtu vetëm 30 ditë. Mirëpo, tashmë janë bërë nëntë muaj që banon në Klinë, madje këtu festoi edhe ditëlindjen e 18-të.
Për Kiks Kosovën, djaloshi i njohur me nofkën “Demzi”, ka treguar se një bashkëkombës nga Gambia i kishte premtuar babait të tij se do ta sillte djalin në Kosovë. Këtu, sipas tij, ai do ta kishte më të lehtë të bashkohej me ndonjë ekip futbolli.
Siç ka treguar Jallow, për prindin e tij shkolla ishte primare dhe topi i futbollit nuk kishte vend në planet e së ardhmes.
Mirëpo, me të parë zjarrin dhe pasionin e të birit për këtë sport, vendosi t’i hapte derën ëndrrave të tij.
Kosova u bë vendi ku ai shpresonte t’i hidhte hapat e parë të karrierës, të cilët do ta çonin drejt Evropës.
Por pse 18-vjeçari afrikan zgjodhi Klinën?
Detajet i gjeni në kronikën në vijim:
https://youtu.be/5fL-rffWW1w
●●●
HASHKRIMI NGA
herolind ademi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.