Këngëtares kosovare, Nexhmije Pagarushës, gjatë ditës së sotme iu dorëzua vendimi për statusin e qytetares me merita të veçanta, nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.
Gjatë kësaj vizite ministri Gashi shprehu falënderim të veçantë për këngëtaren Pagarusha, njofton Klan Kosova.
“Bilbili i këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha ka dhënë kontribut të madh në përçimin e vlerave dhe traditave të vendit tonë me pjesëmarrjen e saj në festivale e skena të njohura ndërkombëtare”, tha Ministri Gashi gjatë këtij takimi.
Ndërkaq, këngëtarja, Nexhmije Pagarusha, falënderoi ministrin për kujdesin e tij në vazhdimësi ndaj saj dhe për iniciativën e marrë për mbështetje financiare.
Po ashtu ministri Gashi njoftoi se nga muaji i kaluar znj. Pagarusha kanë filluar t’i transferohen mjetet në baza mujore.
Ministri u zotua që do të vazhdoj të ndihmoj krijimtarinë e saj artistike duke ia bërë monografinë dhe njëkohësisht edhe kompleksin në Pagarushë, pikërisht afër shtëpisë së saj.
Ministri Gashi propozoi që këngëtares t’i dorëzohet vendimi për statusin qytetares me merita të veçanta, kështu pas këtij propozimi Qeveria e Kosovës muajin e kaluar mori vendim që këngëtares Nexhmije Pagarusha t’i njihet statusi i qytetares me merita të veçanta për shkak të kontributit të saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
LG
SHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.