Lajmet e fundit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë që të përgatitet për të evakuuar civilët nga qyteti jugor i Gazës, Rafah, përpara një ofensive të zgjeruar kundër Hamasit.
Rreth 1.5 milionë palestinezë janë në Rafah për të kërkuar strehim nga operacionet luftarake izraelite në pjesën tjetër të Gazës.
SHBA-ja e ka paralajmëruar Izraelin se pushtimi i Rafahut do të ishte një "katastrofë", ndërsa BE-ja dhe OKB-ja shprehën shqetësime lidhur me planin e Izraelit.
Grupet e ndihmës thonë se nuk është e mundur të evakuohen të gjithë nga qyteti, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Netanyahu u tha zyrtarëve ushtarakë dhe të sigurisë që të "paraqesin në kabinet një plan të kombinuar për evakuimin e popullsisë dhe shkatërrimin e batalioneve" të Hamasit, tha zyra e tij të premten.
"Është e pamundur të arrihet qëllimi i luftës pa eliminuar Hamasin dhe duke lënë katër batalione të Hamasit në Rafah. Përkundrazi, është e qartë se aktiviteti intensiv në Rafah kërkon që civilët të evakuohen nga zonat e luftimit", u tha tutje në deklaratë.
Në fillim të kësaj jave, Netanyahu tha se kishte urdhëruar trupat që të "përgatiteshin për të operuar" në Rafah dhe se "fitorja totale" e Izraelit mbi Hamasin ishte vetëm disa muaj larg.
Shumica e njerëzve në Rafah janë zhvendosur nga luftimet në pjesë të tjera të Gazës dhe jetojnë në tenda. Rafah është e vetmja pikë kalimi midis Gazës dhe Egjiptit.