Lajmet e fundit

Barcelona ka konfirmuar se Sergio Aguero do ta sqarojë të ardhmen e vet në futboll nesër në një konferencë për media na Camp Nou, pas telasheve me zemër.
Mediat spanjolle raportuan se KUN do ta njoftojë pensionimin nga futbolli gjatë asaj konference.
“Këtë të mërkure (në orën 12:00), Sergio Aguero do të paraqitet (në një konferencë për media) në Camp Nou për ta sqaruar të ardhmen e vet. Në konferencë do të marrë pjesë edhe presidenti i Barcelonës, Joan Laporta”, njoftoi klubi katalanas.
Sulmuesi argjentinas përjetoi vështirësi në frymëmarrje dhe shtrëngim në gjoks në një ndeshje të Barcës kundër Alavesit më 30 tetor.
Barca theksoi pak ditë pas asaj ndeshje se Aguero do të mungonte tre muaj, për ta mjekuar problemin në zemër.
Testet mjekësore treguan se 33-vjeçari ka çrregullime në të rrahurat e zemrës.
Sipas mediave në Spanje, Aguero nuk do të kthehet më kurrë në fushën e lojës dhe se Barcelona e ka përgatitur tashmë ceremoninë e pensionimit të tij.
33 vjeçari iu bashkua Barcelonës në verë si lojtar i lirë, pasi u largua nga Manchester City, me të cilin i kishte mbaruar marrëveshja në qershor.
Ai i bëri vetëm pesë paraqitje për katalonasit në të gjitha garat, duke e shënuar një gol.