Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, ka hyrë në listën e ngushtë të nominimeve për “Oscars”.
Ky film në të cilin rolin kryesor e luan aktorja Yllka Gashi, bën pjesë në listën e 15 filmave ndërkombëtar për edicionin e 94-të të çmimit “Oscar”, njofton Klankosova.tv.
Nëse hyn për nominim, “Zgjoi” apo “Hive” do të bëhet filmi i dytë nga Kosova që arrin sukses të jashtëzakonshëm pas filmit “Shok” i vitit 2016, me regji dhe skenar të britanikut Jamie Donoughue, në të cilin luajnë aktorë kosovarë dhe u xhirua në Kosovë.
“Shok” arriti të ishte filmi i parë që përfaqësoi Kosovën në Oscar, por fatkeqësisht nuk arriti të fitojë një çmim.
Megjithatë, “Shok” i ktheu sytë e botës kah Kosova. Ngjarja e filmit ishte mbështetur në copëza realiteti të luftës së viteve 1998 – 1999 në Kosovë dhe tragjedive të familjeve shqiptare kur përballeshin me armiqësinë dhe brutalitetin e ushtrisë dhe policisë serbe.
Ndërkohë, “Zgjoi”, është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes. Jeta e saj, frymëzoi regjisoren Blerta Basholli për të realizuar këtë film të bazuar në jetën e saj.
“Zgjoi”, ka fituar çmime të shumta përfshirë edhe tri kryesore në Sundance Film Festival, njofton Klankosova.tv.
●●●
VSHKRIMI NGA
V.R.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.