Lajmet e fundit

Nepotizmi vazhdon të mbetet sfidë serioze në administratën publike të Kosovës.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit vlerëson se problemi i nepotizmit nuk nis vetëm me emërimet e larta.
Drejtori i kësaj agjencie, Yll Buleshkaj, tha për Kiks Kosovën se kjo dukuri duhet të shmanget që në nivelet më të ulët të punësimit, sepse në shumicën e rasteve personat të cilët po punësohen si zyrtarë të ulët, po avancohen deri në pozita drejtuese.
Në rastin e punësimit të 220 punëtorëve në KEK, shumica prej të cilëve familjarë të menaxherëve e drejtorëve të kësaj ndërmarrje, si dhe anëtarë, aktivistë e familjarë të zyrtarëve të Vetëvendosjes, ai thotë se menaxhmenti i Korporatës është thirrur në dispozitat ligjore të cilat u japin përparësi për punësim banorëve të zonave ku nxirret thëngjilli.
Numri një i agjencisë kundër korrupsionit pohon se Kosova ka mungesë të rregullimit ligjor sa i përket punësimit të zyrtarëve të partive politike në funksione publike.
Mirëpo, ajo çka mund ta parandalojë këtë dukuri, sipas tij, është transparenca në të gjitha procedurat e rekrutimit, në mënyrë që të sigurohet se po punësohen personat meritor për pozita përkatëse.
Buleshkaj njoftoi se sivjet, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka hasur disa raste të konfliktit të interesit, të cilat përfshijnë edhe pozitat e rëndësishme të zyrtarëve publikë, të cilët gjatë punës kanë marrë vendime përmes të cilave kanë përfituar personat e afërt të tyre.