Sot është nënshkruar marrëveshja lidhur me projektin për efiçincë të energjisë, grant me vlerë 1 milionë euro si dhe 5 milionë euro kredi të butë për efiçiencë të energjisë në ndërtesat publike në Prishtinë.
Kjo marrëveshje është nënshkruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, drejtori i bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Sergiy Maslichenko dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ky projekt ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturave të brendshme të ndërtesave publike të kryeqytetit, njofton Klankosova.tv.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati gjatë fjalimit të tij.
“Sot me komunën e Prishtinës po e thellojmë edhe një marrëveshje tjetër, është marrëveshja për efiçiencë të energjisë të ndërtesave publike në Prishtinë, e cila ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturave të brendshme të ndërtesave në Prishtinë duke garantuar sisteme të ngrohjes të cilat janë më efiçiente, pra mundësojnë kursimin e energjisë dhe në të njëjtën kohë kërkojnë standardet ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje do të zëvendësohen edhe dyert dhe dritaret si dhe do të bëhet edhe izolimi i 47 ndërtesave publike në Prishtinë”, tha Murati.
Ndërsa Maslichenko është shprehur se ky është një projekt-pilot për ta në Kosovë, po që është i vendosur se ky projekt do të funksionojë si ka funksionuar në vendet e tjera.
“Ne përgëzojmë palët në arritjen e kësaj marrëveshjeje me një rëndësi të madhe dhe urojmë që projekti të zbatohet sa më parë”, tha Maslichenko.
Përparim Rama tha se kryeqyteti ka nevojë të veçantë për restaurim, rinovim dhe ngritje të efiçiencës, jo vetëm në aspektin e rrymës që shpenzohet për energji, por edhe në aspektin e ambientit që krijohet.
Vlen të theksohet se marrëveshja e sotme me vlerë granti prej 1 milion euro nga Programi Rajonal për Efiçiencë të Energjisë për Ballkanin Perëndimor të financuar nga Bashkimi Evropian, së bashku me marrëveshjen paraprake me BERZH, e cila ka një vlerë prej 5 milionë euro, e bën vlerën totale të investimit për këtë projekt 6 milionë euro.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.