Lëvizje me harmoni! – mund të përshkruhet rrugëtimi i një koreografi, i cili pretendon zhvillim të karrierës së tij profesionale.
Të tillë e kishte fatin edhe Robert Nuha, i njohur me emrin artistik NOA, themelues i teatrit të vallëzimit ''Noa Dance Theatre'', e vetmja në Kosovë.
Duke qenë njëkohësisht koordinator i festivalit internacional ''Albania-Kosovo Dance Meeting'', i vetmi festival i kërcimit bashkëkohor në Kosovë, për klankosova.tv, ai ka ndarë rrëfimin e tij për hapat e hedhur deri në arritjen e kësaj pike, duke mos harruar edhe sfidat që përballen artistët e kësaj fushe.
Cilat janë sfidat e juaja si një koreograf?
Për ata që e kanë pasion po të njëjtin profesion a mund të tregoni më shumë për eksperiencën tuaj dhe sfidat që keni kaluar për të arritur në suksesin që keni?
Mendoj se profesioni i kërcimtarit dhe koreografit është ndër profesionet më të vështira ne aspektin e kohës, energjisë, thellimit dhe kërkimit artistik! E cilësoj vetën me fat që kam pasur rastin të njoh njerëz te veçantë dhe shumë profesional me të cilët kam ndarë eksperienca të ndryshme profesionale dhe të cilat sot më kanë bere ai qe jam!
Puna dhe përkushtimi ndaj ç'do projekti artistik ,angazhimet dhe eksperiencat e mia me koreografet, regjisoret me te shquar kombëtar e ndërkombëtar siç janë: Zana Hoxha, Ilir Bokshi ,Gjergj Prevazi, Marco Cantalupo, Katarzyna Gdaniec, Katharina Machenka Horn, Oded Ronen, Nicholas Petit e shumë të tjerë, apo punët profesionale ne kompani si Albania Dance Theatre (AL) "Noa Dance Theatre (rks), Cie Linga (Zvicer) e shumë bashkëpunime të tjera me kanë mundësuar qe te përftoj shume ne aspektin e rritjes profesionale dhe suksesit qe sot e gëzoj me shumë përgjegjësi njerëzore e artistike!
Çfarë cilësoni si sfidën më të madhe në fushën e artit te vallëzimit?
Një ndër sfidat pa diskutim është të qenit në formë fizike për ç'do detyrë që mund të paraprijë, e gjithashtu i përgatitur dhe njohës ne pikëpamjen e qasjeve artistike në të cilat bota lëvron në momente të caktuara në skenën koreografike. Përveç kësaj, një ndër sfidat më të mëdha është të qenit larg familjes, larg momenteve shumë te rëndësishme familjare.
Sfide tjetër e madhe dhe tepër e rëndësishme për mua është te koreografoj me përgjegjësi dhe dinjitet artistik, te koreografojë dhe të krijoj për të dhëne sado pak kontribut në rritjen e kualitetit, përcjelljen e artit te kultivuar në gjeneratat e reja, të mos përsërisë vetë-vetën artistikisht, tendencë kjo e imja ne ç'do projekt artistik me qëllim që të sjellë kërkime të reja dhe të jap nga vetja në aspektin e rritjes së vlerave artistiko-koreografike ne Kosovë!
Sa ndjeheni i vlerësuar ne lëvrimin e këtij arti ne Kosovë?
Komunitetit artistik ne Kosovë, art dashësit dhe njerëzit e fushës më kanë pranuar si njeri dhe si profesionist, dhe kam raporte të shëndosha profesionale e njerëzore të cilat më bëjnë te ndjehem shumë i vlerësuar, përveç kolege, jemi edhe miq te mirë me shumicën e komunitetit. Mirëpo duke tejkaluar veten, mendoj qe arti koreografik, më saktë institucionet të cilat reprezantojnë atë, siç është edhe institucioni me i larte koreografik ne vend, BKK-ja , duhet akoma më shumë të hapet në përfshirjen e koreografeve të rinjë, e sidomos ata të cilët kanë mbaruar studime për këtë fushë dhe të cilët janë të dëshmuar në skena kombëtare e ndërkombëtare. Kjo jo vetëm është e shëndetshme për institucionin por edhe për gjeneratat e reja te cilat kanë ambicie që në te ardhmen të jenë përcjellës të këtij arti.
BKK-ja, duhet të vlerësojnë më shumë dhe me pastër kritikat dhe sugjerimet e profesionisteve sepse vetëm në këtë formë ne mund te rrisim njëri-tjetrin.
Kur e keni hapur kompaninë tuaj të kërcimit në Kosovë?
Sa kanë treguar njerëzit interesim rreth të qenit pjesë e këtij teatri?
Kompaninë "Noa Dance Theatre" e kam themeluar ne vitin 2017 ne Prishtinë me qëllimin për të hapur një dritare tjetër artistike, një mundësi më shumë për artdashësit, aktorët, artistët e sidomos kërcimtarët e rinj të cilët për fat të keq akoma nuk kanë hapësirën e duhur për të prezantuar dhe për të alternuar në forma dhe koncepte bashkëkohore të të kërcyerit dhe koreografimit.

"Ups and Downs" ishte shfaqja e parë profesionale e realizuar në bashkëpunim me Teatrin Oda dhe Florent Mehmetin, e të cilën e shfaqem në festivalin internacional "Hapu" në 2017. Deri më sot kjo kompani ka qenë mikpritëse e mysafirëve dhe artistëve vendor e të huaj pjesëmarrës në festivale si "Albania- Kosovo Dance Meeting" koordinator i të cilës jam unë që nga viti 2016 e tutje, gjithashtu kompania ka pasur disa prezantime e projekte artistike mjaft te suksesshme ne skenën shqiptare.
Sot "Noa Dance Theatre’’ funksionon duke e lidhur punën artistike me mundësitë qe krijon degë kjo e hapur tash e dy vjet, e vetmja dhe e para e këtij lloji në Kosovë ku me shume përgjegjësi e kënaqësi ligjëroj lëndët e Koreografisë dhe Dansit Bashkëkohorë.
Kjo kompani do te prezantohet me shfaqjen "Flux Life" ne festivalin "Etno Fest"; "InOut" në festivalin prestigjoz "Laiks Dejot" në Riga të Letonisë; Bashkëpunim artistik me Qendrën për Art dhe Komunitet "Artpolis" ne Prishtinë,
Çka e veçon shfaqjen "Totem dhe Tabu"?
“Totem dhe Tabu”, është tandem eksperimental i dansit kontemporan dhe tekstit minimal që mundëson reflektimin e audiencës lidhur me çështjet e ngritura të cilat ngërthejnë jetën e tyre dhe mentalitetin kosovar.
Shfaqja ngreh pikëpyetje për situata dhe shqetësime të mëdha shoqërore, trauma, ndikimin e pandemisë dhe hipokrizinë shoqërore por pa arritur në konkludime dhe me qëllim që të prekë në thellësinë e përjetimeve, emocioneve dhe ngjarjeve të cilat vijnë në formë imazhesh dhe monologëve.
"Totem and Taboo" Qendra Artpolis, Teatri Kombëtar i Kosovës

Pyetjet, reflektimet, çështjet dhe temat që trajtohen mbeten të izoluara brenda “kornizave” individuale dhe kolektive që janë Tabu për shoqërinë apo nuk arrijnë të depërtojnë në diskursin publik.
Në një kohë para dhe gjatë pandemisë personazhet tona adaptohen, ndryshojnë, evoluojnë por edhe ballafaqohen me frikësimet e tyre më të fshehta dhe të pa arsyetuara.
Ato ngrenë kokë si pasojë e izolimit dhe shkaktojnë histeri, paranojë dhe reflektim lidhur me vrasjet, kanunin e traumën ndër gjenerata, si dhe përpjekjet e pandalshme për dashuri e paqe të brendshme.
Gjetja e qetësisë dhe paqes pas stuhive të mëdha të ndërlidhura me dhunën emocionale, fizike dhe traumat e së kaluarës ndërthuren me traditat si Totem i bartur ndër gjenerata, të ndërlidhura me kanunet dhe zakonet që shpeshherë shtypin dhe promovojnë pabarazi dhe të cilat ende barten si mbetje të kaluarës në gjeneratat e reja të grave dhe burrave Kosovar.
Shfaqja e dance teatër "Totem dhe Tabu" u realizua nën koreografinë e Robert Nuhës, përderisa regjisorja e teatrit Zana Hoxha kësaj radhe kontribuoi me dramaturgji.
***
Ndryshe, NOA ishte pjesë në një numër të madh projektesh artistike, me artist shqiptarë dhe të huaj, duke prezantuar punët e tij në festivale të ndryshme në gjithë Europen përfshirë Gjermani, Itali, Zvicër, Kroaci etj, shfaqje kërcimesh si ''Im the Men!'' në (Germany), ''Stress Biology'' (Swiss), “Hybrid 0 to 100” (Izrael) etj. Dhe së fundi ka bashkëpunuar me kompaninë e famshme të kërcimit bashkëkohor Compagne LINGA (Swiss) me shfaqjen “Between”.
Ai gjithashtu ka luajtur në disa produksione filmike si "Bal-Kan" (Al), "Light (U.S.A dhe Al) "Motër dhe Vëlla" (Al), "Djali dhe Bleta" (Al) "Cirku Fluturues" (RKS) etj. Bashkë-koroegraf në shfaqje si "Lulet e Dimrit" e prezantuar në Mediterranea Yong Artists Bienale, "Lets Go" prezantuar në Teatrin kombëtar të Kosovës.
Aktualisht është duke punuar projekte artistike ne Shkup, Tiranë, Prishtinë si dhe do të ligjërojë pranë Akademisë se vallëzimeve në Letoni e gjithashtu do të marrë pjesë me shfaqjen e tij premier në Festivalin prestigjioz “Laiks Dejot” në Riga të Letonisë.
klankosova.tv