Lajmet e fundit

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, zhvilloi një vizitë dyditore në Tiranë, në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor.
Donfried, në një intervistë për media, ka folur edhe për qëndrimin e Serbisë për të mos iu bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.
Ajo tha se Serbia qëndroi në anën e duhur të historisë në fillim të marsit me votimin e parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku 140 vende, përfshirë Serbinë, votuan për të dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërkuan që Rusia të tërhiqet nga lufta.
“Në OKB ishin pesë vende që votuan kundër kësaj rezolute. Edhe në një rezolutë të dytë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, një rezolutë humanitare, Serbia votoi krah Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe më pas u bë votimi për të pezulluar Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Dhe përsëri, Serbia votoi me ne. Mendoj se është e rëndësishme ta pranojmë se këto ishin vendime të vështira dhe të vlerësojmë vendimin që mori Serbia”, është shprehur Donfried për VOA, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ajo i ka bërë thirrje Serbisë që të përputhë qëndrimin e saj me Bashkimin Evropian dhe sanksionet që tashmë i janë vendosur Rusisë.
E pyetur për mundësinë e rrezikut për stabilitetin e Ballkanit ku Serbia bleu armë nga Kina, Donfried tha se “kur një vend merr vendime për blerjet e armëve dhe sigurisht kur mendon në këndvështrim të gjerë për marrëdhëniet me atë vend, është shumë e vështirë të imagjinosh ndonjë vend që të ketë një marrëdhënie të pandryshuar me Rusinë pas 24 shkurtit. Unë do t'i referohesha përsëri vendimeve që mori Serbia në OKB”, përcjell Klankosova.tv.
Ajo shtoi se çdo vendim që një vend merr në lidhje me blerjet e armëve është i informuar nga ai këndvështrim i gjerë mbi mënyrën se si duhet të jetë në vazhdim një marrëdhënie me Rusinë apo Kinën.