Lajmet e fundit

Kurdisja e ndeshjes Ulpiana-Vëllaznia e Pozheranit u bë jehonë në elitën e futbollit kosovar.
Pikërisht kjo dhe dukuria e trukimit të ballafaqimeve ishte njëra ndër temat e diskutuara në emisionin Kosova Today në Klan Kosova.
Nga pjesëmarrësit në studio u aludua që kurdisjet më së shumti po ndodhin gjatë sezonit pranveror.
Liridon Kozhani ish nënkryetar i Ulpianës, thekson se janë ekipe që po përfliten që kanë kurdisur ndeshje.
“Ulpianë është lakuar, por janë disa klube, shumica e klubeve që përfliten në sezonin pranveror. Pa pjesëmarrjen e klubeve, njerëzve aktorëve, sportistëve, futbollistëve në këtë rast këto gjëra nuk munden me ndodhë”, u shpreh Kozhani.
“Për me shpërfaq ose me tregu diçka që po punohet rreth eliminimit ose shkatërrimit të kurdisjeve në futbollin e Kosovës, janë targetuar dy klube Vëllaznia dhe Ulpiana, me një drejtësi selektive nuk kemi me mundur me shfaros, ose ta eliminojmë këtë anomali dhe këto padrejtësi brenda futbollit të Kosovës, duhet të trajtohet problemi nga thelbi”.
Ndërkohë, analisti Ramiz Shala vlerëson se zanafilla e këtij problemi nuk fillon dhe mbaron me këtë takim.
“Nuk kam marr pjesë në asnjë rast, po flas personalisht, por e di si orkestrohet, zanafilla e problemit të shpërfaqur në dy javët e fundit, nuk fillon dhe nuk mbaren besoj me ndeshjen Vëllaznia-Ulpiana. Kjo problematikë ka filluar qysh në protestat e para të Dinamos nga Ferizaj, me ankesa deri në CAS, për mos me qenë pjesë e grupit ku bëjnë pjesë Ferizaj dhe Ulpiana, para se të fillojë sezoni 2023-24. Unë gjithmonë po flas me kronologji, në atë grup Ferizaj, me pesë pikë, edhe gjashtë pikë i merr si në bahçe të babës me vendim të federatës dhe realisht është pjesë e Superligës, të tjerat realisht luftojnë për një vend për barazh”, u shpreh Shala.
Teksa, Agon Pira, drejtori sportiv i Vëllaznisë thekson se vendimi i Federatës së Futbollit të Kosovës ishte i ngutshmë.
“Vendimi i federatës për një rank më poshtë është i ngutshëm nuk ka pasë fakte dëshmi dhe asgjë, dhe është vendim shumë i rëndë, vendim më të rëndë nuk mbahet mend që ka ndodhur në futbollin e kosovë dhe diku tjetër”, u shpreh Pira.
Megjithatë, gazetari Emanuel Syla thotë se ndeshja ka qenë ashiqare e shitur.
“Ajo lojë ka qenë e shitur nuk e di çka duhet me thënë tjetër që ka qenë e shitur”, tregoi Syla.