Filmi “NDERI / The Tower of Strength”, kandidat i Malit të Zi për çmimin Oscar dhe fitues i 20 çmimeve ndërkombëtare, me regji të regjisorit malazez Nikolla Vukçeviq, shfaqet për herë të parë në Prishtinë më 9 prill, në Cineplexx nga ora 20:00.
Premiera organizohet nën patronatin e Ambasadës së Malit të Zi në Prishtinë dhe Cineplexx Kosova, në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të rivendosjes së pavarësisë së Malit të Zi.
Revista Variety e përshkruan filmin “NDERI” si “një dramë historike e fuqishme, mahnitëse, prekëse dhe e ndërtuar me përpikmëri, që reflekton fuqishëm në kohën tonë bashkëkohore”.
I frymëzuar nga ngjarje të vërteta të Luftës së Dytë Botërore, filmi ndjek historinë e Nuredin Dokës, i cili përballet me një zgjedhje, të rrezikojë familjen për të shpëtuar një fëmijë të një feje dhe kombësie tjetër, apo të thyejë Besën. Rolin kryesor e interpreton aktori i njohur kosovar Edon Rizvanolli, i cili për këtë rol ka fituar tre çmime ndërkombëtare.
Krahas tij, dhe aktorëve të tjerë të njohur kosovarë si Alban Ukaj, Xhejlane Tërbunja, dhe Selman Jusufi, në film paraqitet edhe aktori legjendar shqiptar nga Mali i Zi, Zef Dedivanoviq, në rolin e tij të fundit. Për identitetin vizual të filmit është përkujdesur drejtori i fotografisë Gjorgje Stojillkoviq, i vlerësuar me katër çmime ndërkombëtare për këtë projekt.
Detajet e premierës: data: 9 prill, ora: 20:00, vendi: Cineplexx, Prishtinë.
https://youtu.be/DCi0gRq5ldg
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.