Një moment për të rikuperuar forcat, për të reflektuar dhe për të provuar ringritjen. Kjo pavarësisht paraqitjes aspak të mirë ndaj Izraelit, rezervave për gjykimin dhe rezultatit 3-0, që është humbja më e thellë e Gianni De Biasit në 5 vitet që trajneri drejton stolin e Kombëtares.
Në 46 ndeshjet që ka udhëhequr kuqezinjtë, prej debutimit të 29 Shkurtit 2012 në miqësoren me Gjeorgjinë, tekniku italo-shqiptar ishte kujdesur që skuadra të rreshtohej në fushë për të pësuar sa më pak gola.
Në 17 humbjet e pësuara në total gjatë kësaj periudhe, Kombëtarja nuk ishte mposhtur asnjëherë me këtë diferencë golash. Madje as përballë gjigandëve europianë si Italia, Franca, Portugalia apo Zvicra e Austria.
E vetmja ndeshje në të cilën Shqipëria e De Biasit ka pësuar 3 gola, ishte miqësorja e humbur 3-1 përballë Ukrainës, më 3 Qershor 2016, sfidë përgatitore përpara pjesëmarrjes historike në Kampionatin Europian.
Përpara emërimit të teknikut 60-vjeçar, Shqipëria ishte mposhtur 3-0 nga Franca dhe 4-0 nga Argjentina në ndeshjet e vitit 2011. Në historkun e përballjeve ndërkombëtare janë edhe humbjet 4-1 nga Suedia dhe 3-0 përballë Danimarkës në vitin 2009.
Por, për një humbje me shifrat të tilla në shtëpi duhet të kthehemi 20 vjet mbrapa në kohë, kur më 9 Tetor 1996 kuqezinjtë mposhteshin 0-3 nga Portugalia e Luis Figos dhe Rui Costa-s, shkruan SuperSport.al.
Në futboll, sportin që të ngre në qiell dhe në momentet e shpërqendrimit të zbret vrullshëm në një realitet që ndoshta nuk e meriton, humbjet si ajo e Shqipërisë me Izraelin duhet të shërbejnë si një pikënisje e re.