Gjashtë vjet pas vrasjes së Besnik Shalës nga Policia e Kosovës, familja e tij nga Prizreni vazhdon të kërkojë drejtësi dhe kompensim.
Pas ngjarjes së shtatorit 2020, familja u detyrua ta braktisë shtëpinë në lagjen “Kodra e Trimave”, duke thënë se traumat e asaj nate vazhdojnë edhe sot.
Sipas Policisë së Kosovës, Besnik Shala ishte në kërkim për vepra të rënda penale dhe u qëllua për vdekje pasi kishte hapur zjarr ndaj zyrtarëve gjatë tentativës për arrestim.
Ky version kundërshtohet nga familja, e cila pretendon se ai nuk e kishte merituar vrasjen, por arrestimin dhe trajtimin sipas ligjit.
Familjarët thonë se nuk janë ftuar asnjëherë për të dëshmuar dhe se, si pasojë e ngjarjes, kanë marrë trajtim mjekësor dhe psikologjik. Ata mohojnë gjithashtu pretendimet për lidhje të Besnik Shalës me organizata terroriste.
https://www.youtube.com/watch?v=WtJMq0HcAIk
Pas mbylljes së rastit nga prokuroria, prindërit e viktimës kërkuan kompensim pranë Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, por kërkesa u refuzua.
Më pas, ata e paditën Qeverinë e Kosovës dhe më 5 shtator 2025, Gjykata Themelore e Prishtinës e anuloi vendimin e Komisionit dhe e ktheu rastin për rishqyrtim. Shuma e propozuar për kompensim është 23 mijë e 500 euro.
Institucionet përkatëse nuk kanë dhënë përgjigje nëse kërkesa është aprovuar pas vendimit të gjykatës.
Ndërkohë, ish-zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe juristë theksojnë se përdorimi i armës së zjarrit gjatë intervenimeve është opsioni i fundit dhe se kompensimi nuk është automatik, por varet nga ligjshmëria e veprimeve të policisë.
Për të gjitha informacionet, përfshirë palët e përfshira në këtë çështje, detajet i gjeni në videon e mëposhtme.
https://www.youtube.com/watch?v=5ReXqPn_ffQ
●●●
DMSHKRIMI NGA
Donjeta Murselaj
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.