Lajmet e fundit

Pragun e shtëpisë do ta mbrojnë në çdo formë.
Me duart plot dokumente, banorët e fshatit Zajm të Klinës kanë vendosur që t'i denoncojnë personat që, sipas tyre, ua kanë tjetërsuar pronat, për të cilat procedurat e përkthimit i kishin nisur vite më parë.
Këtë të martë, katër prej tyre, në emër të rreth 30 banorëve, u nisën drejt Prokurorisë Themelore të Pejës.
Para derës i priti zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.
Kjo ishte dera e vetme ku ende nuk kishin trokitur dhe vendi i vetëm ku kishin mbetur me një fije shprese se hallet e tyre do të merreshin seriozisht.
Por, asnjë prokuror nuk ndodhej në atë kohë brenda institucionit, pasi ishin në seanca gjyqësore. Për një takim, banorëve iu kërkua të ktheheshin të enjten ose të premten.
Kjo situatë i dëshproi banorët.
Megjithatë, në emër të Prokurorisë së Pejës u tha se kushdo që e shkel ligjin do të përballet me drejtësinë.
Në fund, u arrit një zgjidhje. Banorët hynë brenda për të paraqitur kallëzim penal, me ndihmën e Zyrës për Ndihmë Juridike Falas brenda prokurorisë.
Nga ana tjetër, përmes një përgjigjeje me shkrim, Policia e Klinës i ka thënë Kiks-it se gjatë muajve të fundit janë paraqitur dy ankesa për çështje pronësore nga qytetarë të fshatit Zajm.
Sipas Policisë, më 25 dhjetor 2025, një qytetar ka raportuar një kontest pronësor, por Prokurori i Shtetit ka vlerësuar se nuk ka elemente të veprës penale dhe rasti është mbyllur me shënim zyrtar.
Ndërkaq, më 8 janar 2026, një qytetar tjetër ka paraqitur ankesë për një pronë në zonën kadastrale Drenoc–Klinë, për të cilën është përpiluar raport informues dhe është dërguar në prokurori.