Lajmet e fundit

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, deklaroi se pensionistët, por edhe çdo familje, kanë nevojë për mbështetje edhe kur nuk ka zgjedhje.
Në “Edicionin Special” të Klan Kosovës, Mustafa tha se PDK këtë e ka paraparë në programin e tyre qeverisës, përmes një pakoje të fuqishme, transmeton Klankosova.tv.
“Rritja e kostos së jetesës ka rënduar çdo familje. Ne kemi qenë shumë të zëshëm gjatë viteve të kaluara, duke kërkuar masa konkrete për t’i mbështetur familjet që ta përballojnë këtë rritje të kostos së jetesës, dhe degradimit e standardit të jetesës që e ka kapluar çdo familje”.
“Natyrisht që ne i gëzohemi çdo mase që mund ta lehtësojë jetën e një pensionisti, apo një familje. Mirëpo duhet pasur parasysh që pensionistët dhe familjet tona kanë nevojë për mbështetje edhe kur nuk ka zgjedhje. Për këtë arsye, ne në programin tonë qeverisës, kemi paraparë një pako të fuqishme të mbështetjes për çdo familje”, u shpreh ai.