Ministri i Financave, Hekuran Murati, është duke qëndruar në Marakesh të Marokos në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.
Ai ka takuar drejtuesit e këtyre institucioneve, ku me ta ka diskutuar një sërë çështjesh që lidhen me ecuritë e fundit ekonomike e fiskale, pritjet për vitin e ardhshëm dhe vitet në vijim si dhe për bashkëpunimin midis dikasterit që ai drejton edhe këtyre dy institucioneve financiare.
“Për sa i përket zhvillimeve gjatë vitit 2023, Ministri Murati theksoi se përkundër vështirësive që vijnë nga ambienti i jashtëm, vlerësimet më të fundit tregojnë se rritja ekonomike do të jetë solide. Ministri Murati po ashtu informoi përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore për performancën e mbledhjes së të hyrave buxhetore, me theks të veçantë tek të hyrat tatimore”, thuhet në kumtesë, përcjell KlanKosova.tv.
Murati ka thënë se ky është viti i tretë me radhë ku të hyrat tatimore kanë rritje dyshifrore, sipas tij falë aktivitetit të shtuar ekonomik dhe rritjes së efiçiencës në mbledhjen e tatimeve.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe FMN-së theksuan se projektet që janë negociuar dhe paraqitur në kuvend për votim janë kredibile dhe me ndikim të konsiderueshëm për ekonominë e Kosovës, prandaj edhe votimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës është tejet i rëndësishëm.
●●●
LSHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek ekonomi dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.