Një patriot shqiptar, varri i të cilit nuk dihet tash e 80 vjet, kryetar i Komunës së Kamenicës, i emëruar nga Mustafa Kruja, sekretar i Gjilanit, nën-prefekt i Zhurit dhe Kaçanikut në vitet ’40-ta.
Një biznesmen 27-vjeçar, përfaqësues i kompanisë së makinave “Singer” për Kosovë dhe Shqipëri në vitet ’40-ta, që u shua i ri, në pabesi e tradhti, nxënës i Mulla Idrizit të madh. Është fjala për Muharrem Fejzën, i vrarë në vitin 1945.
Pas 80 vitesh, Klan Kosova, së bashku me familjarët e Muharremit, u fut në një hapësirë ku supozohet se është trupi apo ku është groposur pas vrasjes nga forcat serbo-komuniste, ish-kazerma jugosllave në Gjilan, tash e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Sa herë që ka kaluar nana jem këndej, kryt i ka mbet…qitu pushon baba jem, Muharrem Fejza”, tregoi Qefsere Rexhepaj, mbesa e Muharrem Fejzës.
Muharremi, pasi u vra, la pas gruan Hatixhe, vajzën Nexhipe, 4 ose 5 vjeçare, dhe djalin Skender, vetëm 6 muajsh.
“Nga dhimbja e madhe, edhe Hatixhja, gruaja e Muharremit, vdes pas 3 vitesh”, shpjeguan familjarët.
Trupi i Muharrem Fejzës për 5 ditë ishte vendosur në qendër të Gjilanit, për t’u poshtëruar, por edhe për t’ia futur frikën popullatës shqiptare. Më pas trupi u largua dhe thjesht u hodh në një gropë të krijuar brenda ish-kazermës jugosllave në Gjilan.
Varri apo gropa thuhet se u hap nga një rom, prej nga edhe u kuptua afërsisht se ku ndodhet trupi i tij.
Qytetari rom kishte deklaruar se pranë kokës dhe këmbëve të Muharremit ndodhen dy plepa.
“Thirrje shtetit të Kosovës: hulumtoni varret masive të vitit 1945 në Gjilan”, tha Luan Kastrati, nipi i Muharrem Fejzës.
Fejza ishte pjesë e Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe më pas pjesë e Shtabit Drejtues të Rezistencës Shqiptare për Kosovën Lindore, ku komandant ishte Mulla Idrizi.
Si dhe nga kush u vra Muharrem Fejza, në pabesi e tradhti?
Sipas shkrimit të Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Fejza shkoi në odën e Miftar Gagicës, familje kjo që Muharremi fare nuk e njihte dhe nuk kishte shkuar kurrë në këtë shtëpi.
Në mes të 2-3 majit 1945, me arritjen e tyre në këtë shtëpi, Veli Rexhepi urdhëroi që Salih Beqa dhe Behlul Baravani të qëndrojnë roje në rrethin e parë, ndërsa posa hynë brenda oborrit të shtëpisë, urdhëroi që Ferat Shipashnica të qëndrojë roje në rrethin e dytë. Ndërsa ekzekutori i krimit, Veli Rexha, u fsheh edhe më thellë në errësirë, që të mos i shihnin Salih Beqa dhe Behlul Baravani kur të kryente ekzekutimin.
Nuk vonoi shumë dhe u dëgjua një krismë e tmerrshme e një pushke - Muharrem Fejza u qëllua pas shpine.
Për ta shikuar gjithë rrëfimin e atëhershëm, klikoni në videon e mëposhtme:
https://www.youtube.com/watch?v=3RijQvwo-rw&list=PLkbYqy6vnNgdzn0M-4EXEYywkGND5MV19&index=6