Profesori i filozofisë, Muhamedin Kullashi, ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Prishtinë librin “Dy gjenealogjitë e modernitetit”.
Autori tregoi dallimin mes dy mendimtarëve, Michel Foucault dhe Claude Lefort, e cila është edhe temë e librit të tij.
“Dallimi mes tyre është se Foucault e mendon dhe rimendon të sotmen përmes tezës se çka moderniteti - e në veçanti iluminizmi si epokë - ka ndikuar tek e sotmja në veçanti në Evropë”.
“Ndryshe nga Foucault, Lefort në një pjesë të mirë të teksteve e zhvillon një koncepcion, i cili nuk është as politikologjik, por e ka një analizë dhe një mbështetje të simboleve. Ai në njërën anë dëshiron të vë në pah se çka e dallon modernitetin nga periudha paraprake e regjimit të moçëm “, tha Kullashi.
Sipas tij, gjenealogjia si term është mënyrë e veçantë e interpretimit të historisë.
Njëri nga recensentët e këtij libri, akademik Rexhep Ismajli, u shpreh se librin e Kullashit e ka lexuar me kënaqësi pasi që e njeh autorin, por edhe se tek ai ka parë një njeri me një gamë të gjerë dijesh.
“Librin e kam marrë vonë, por e kam lexuar dhe kam marrë prej tij gjithë kënaqësinë e leximit”.
“Shpirt dinamik dhe i etur për dije, i afërt me rrjedhat letrare të kulturës, sepse përveç studimeve filozofike ka mbaruar edhe studimet për gjuhë dhe letërsi frënge”.
“Tek Muhamedin Kullashi me kohë kam parë njeriun që me botën e tij po sillte një gamë të tërë dijesh, refleksesh, interpretimesh”, ka deklaruar Ismajli.
Për përmbajtjen e librit të Kullashit ka folur recensenti Astrit Salihu duke e shpjeguar atë nëpër kapituj.
“Vepra fillon me problematizimin deri më tani më të përmbledhur të modernitetit nga ana e Habermasit në veprën e tij ‘Diskursi Filozofik i Modernitetit’, ku ai i problematizon momentet kryesore të mendimtarëve”.
“Në dy kapitujt pasues në mënyrë të përmbledhur kemi të paraqitur dallimin mbi presupozimet e formësimit dhe ndërtimit të modernitetit nga ana e këtyre dy mendimtarëve”.
“Në veprën e tij, Muhamedin Kullashi orvatet që të vë në pah tendosjet e brendshme të modernitetit që i kërcënojnë gjithherë shoqëritë aktuale në format e padëshiruara politike dhe të organizimit të pushtetit...”.
“Me këtë vepër, Kullashi përmbyll një kërkim të përkushtuar dhe konceptual të modernitetit, të cilit interpretohet nga këta dy mendimtarë’’, tha Salihu.
Muhamedin Kullashi ka shkruar një numër të madh veprash filozofike në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhë të huaja. Po ashtu ka përkthyer edhe shumë vepra.
Tetë vjet ka qenë ambasador i Kosovës në Francë.