Lajmet e fundit

Në kuadër të këtij procesi, MPB përmes një postimi në Facebook, thotë se do të nxjerrë aktet administrative për regjistrimin e fakteve të lindjes, martesës dhe vdekjes të regjistruara deri më 15 mars 2026 në institucionet jolegale serbe, për t’i integruar në Regjistrin Civil të Kosovës. Gjithashtu, do të njohë përkohësisht kartat e identitetit të lëshuara nga këto struktura, vetëm për qëllime identifikimi.
“Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, përfshirë Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) dhe Policinë e Kosovës, do të ofrojë të gjitha informatat dhe udhëzimet e nevojshme për qytetarët që preken nga këto vendime. Njëkohësisht, Ministria do të përgatitet për fillimin e lëshimit të lejeqëndrimeve të përkohshme pas pranimit të listave të punëtorëve në sistemin shëndetësor dhe të arsimit nga komunat dhe pas aplikimit individual të këtyre personave, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
MPB theksoi po ashtu se të gjitha veprimet institucionale po ndërmerren për të siguruar zbatim të rregullt, të koordinuar dhe gjithëpërfshirës të ligjeve, duke garantuar, sipas tyre, qasje në shërbime dhe siguri juridike për të gjithë qytetarët, në përputhje me standardet evropiane dhe sundimin e ligjit. “Gjithashtu, Ministria njofton të gjithë shtetasit e huaj se deklarimi i adresës brenda tre (3) ditëve nga hyrja në Republikën e Kosovës është obligim ligjor dhe mund të bëhet përmes aplikacionit për deklarimin e adresës, i cili mund të përdoret nga telefonat me sistem Android, iOS dhe përmes ueb-it të Policisë së Kosovës, si dhe stacionit më të afërt policorë”, shkroi MPB.