Lajmet e fundit

ESPN ka konfirmuar se moderatorja prej kohësh e ‘First Take’, Molly Qerim, është larguar nga emisioni, duke mbyllur një periudhë gati dhjetëvjeçare në qendër të programit kryesor të debatit sportiv në ESPN.
Qerim, e cila iu bashkua ESPN në vitin 2006 dhe mori drejtimin e ‘First Take’ në vitin 2015, e bëri njoftimin në Instagram, duke e arsyetuar këtë vendim me fjalët: “koha për të mbyllur këtë kapitull të jashtëzakonshëm dhe për t’u larguar”, ndërsa falënderoi kolegët dhe shikuesit për mbështetjen.
Megjithatë, largimi i saj nuk ishte pa polemika dhe sipas disa raportimeve, ESPN i kishte ofruar Qerim një kontratë të re, të cilën ajo e refuzoi, një lëvizje që sipas këtyre raportimeve “e kapi në befasi” bashkë-prezantuesin e saj, Stephen A. Smith.
“Nuk e prisja që ajo të largohej,” tha Smith në një intervist, duke shtuar se u “habit” nga ky largim i papritur.
Vetë Molly Qerim ka lënë të kuptohet se njoftimi doli më herët nga sa kishte planifikuar, duke thënë se “lajmi doli më herët se ç’e kisha menduar dhe jo në mënyrën që shpresoja.”
Data e transmetimit të fundit ende nuk është konfirmuar dhe ESPN nuk ka shpallur ende një zëvendësues të përhershëm, transmeton Klankosova.tv.
Molly Qerim ka lënë të kuptohet se lidhur me të ardhmen e saj, do t’i informoj shikuesit në kohën e duhur.
Vëzhguesit e industrisë e shohin largimin e saj si një nga tronditjet më të mëdha për ESPN në vitet e fundit, me ‘First Take' që duhet të gjejë një moderator të ri për të balancuar personalitetet e profilit të lartë.
Molly Qerim është e lindur në New Haven, Connecticut nga babai me prejardhje shqiptare dhe e ëma italiane.
Qerim ka qenë e martuar me ish basketbollistin e NBA, Jalen Rose nga i cili u divorcua në vitin 2021.