Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në një ceremoni të organizuar sot në Parkun Arkeologjik ''Ulpiana'', ku ishte i pranishëm edhe ministri Kujtim Shala, dha çmimet në fushën e trashëgimisë kulturore, të cilat jepen për herë të parë në bazë të rregullores për dhënien e çmimeve në trashëgimi, njofton Klan Kosova.
Siç kemi bërë të ditur, Çmimi për Veprimtari Jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore ''Dea Dardanicae'', i jepet Edi Shukriut; Çmimi Vjetor për Merita të Veçanta në fushën e trashëgimisë kulturore ''Shtjefën Gjeqovi'' i jepet Prof. Jean-Luc Lamboley; Çmimi Vjetor për Vepër Shkencore në fushën e trashëgimisë kulturore ''Zef Mirdita'' i jepet Jusuf Buxhovit; Çmimi Vjetor për Menaxhim Institucional në fushën e trashëgimisë kulturore ''Muhamed Shukriu'' i jepet Arton Hoxhës.
Laureatët e çmimeve u shprehen të kënaqur me këtë vlerësim dhe e falënderuan ministrin Kujtim Shala për kujdesin që ka treguar për trashëgiminë kulturore, duke u shprehur se trashëgimia e kulturore ka një vlerë të posaçme për shtetin e Kosovës.
Bazuar në Rregulloren Nr.09/2016 për Dhënien e Çmimeve në Trashëgimi Kulturore, çmimet janë të shoqëruara me shpërblime financiare. Çmimi për Veprimtari Jetësore “Dea Dardanicae” shpërblehet me pesë mijë euro (5000 €), ndërsa çmimet tjera vjetore ''Shtjefën Gjeqovi'';''Zef Mirdita'' dhe ''Muhamed Shukriu'' shpërblehet me nga 2500 euro, njofton Klan Kosova.
Juria profesionale ka qenë në përbërje të: Ukë Xhema, etnolog; Arben Hajdari, arkeolog; Florina Jerliu, arkitekte; Muhamet Mala, historian; dhe Lajde Kolgjeraj, kryetare e Ansamblit Etnokulturor ''Katarina Josipi''.
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.