Lajmet e fundit

Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së sotme me Beshiktashin, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, theksoi se ndeshja me ekipin turk është më e fortë sesa ajo ndaj Dinamos së Zagrebit. Sipas tij, skuadra që stërvit do të hyjë për të bërë lojën e vet, por nuk pranon të bëjë parashikime dhe nëse do të kënaqej me një pikë apo me një fitore.
Për sa i përket formacionit, ai nuk zbardhi asgjë, por pohoi se nuk do të ketë shumë ndryshime nga sfida me kroatët. Sa i përket Salihit, Josa bëri të ditur se nuk është e thënë se sulmuesi do ta nisë patjetër si titullar. Në lidhje me kundërshtarin, ai pranoi supremacinë, sidomos në financa, që kanë diferenca me korçarët, por e ka studiuar mirë, si edhe ka marrë parasysh edhe këshillat që ka dhënë sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi, në “Panorama Sport”.
Josa, si vjen skuadra në këtë ndeshje, i keni kaluar emocionet e Europës?
Kjo është një eksperiencë e re për ne, pasi për herë të parë jemi në grupet e Ligës së Europës dhe është ndryshe nga takimet e tjera që kanë qenë me sistem vajtje-ardhje.
Shorti e deshi që ndeshjen e parë ta luanim në shtëpi dhe jam i kënaqur që luhet në “Elbasan Arena”, edhe pse do të na pëlqente më shumë të zhvillohej në Korçë.
E keni studiuar kundërshtarin dhe sa e njihni?
Po, kemi parë video të takimeve të tyre dhe them se e njohim mirë. Ka lojtarë shumë të mirë në përbërje, ndaj duhet të tregohemi të kujdesshëm. Njohim gjithashtu edhe organizimin që kanë, që nga tifozët e zjarrtë dhe deri te vetë skuadra. Kanë edhe një buxhet shumë herë më të madh se tonin, s’duhet ta harrojmë këtë.
Më e vështirë me turqit apo me Dinamon e Zagrebit?
Së pari, më duhet të them se unë nuk bëj krahasime. Për mua është më e vështirë me Beshiktashin, pasi çdo ndeshje radhe është më e vështirë se ajo që kaloi. Ne duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të shfrytëzojmë mundësitë tona.
Skuadra do të jetë më e lirshme në këtë ndeshje. Jeni i kënaqur me një pikë apo do tentoni fitoren?
Nuk bëj parashikime për ndeshjen, por do hyjmë për të bërë më të mirën tonë. Nëse në fund do jem i kënaqur me një pikë apo me fitoren, këtë do ta shohim pas ndeshjes. Lojtarët që kam në dispozicion kanë një eksperiencë më të madhe tani dhe e dinë mjaft mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe si të sillen.
E di që skuadra do të shpalosë të gjithë mundësitë e veta. Salihi do të jetë gati për këtë ndeshje?
Këtë do ta shohim, por nuk është e thënë që të luajë patjetër nga fillimi. Për momentin, ai është i grumbulluar me ekipin dhe vjen pas rikuperimit. Ne nuk po mendojmë vetëm për ndeshjen me Beshiktashin, por për të gjithë sezonin, sepse kemi përballë skuadra shumë të mira. Salihi është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Pra, e duam atë për të gjitha takimet dhe jo vetëm për një ndeshje.
Për sa i përket formacionit, do ketë ndryshime krahasuar nga ndeshja me Dinamon e Zagrebit?
Luajmë tri ndeshje brenda një jave dhe duhet ta kuptojmë që edhe ata që luajnë njerëz janë. Nuk është se marrin benzinë dhe luajnë, por them se nuk do të ketë shumë ndryshime në krahasim me ndeshjen e kaluar ndaj kroatëve. Duhet të dimë se pastaj do të luajmë një tjetër ndeshje të rëndësishme edhe me Tiranën për kampionat.
Sugjerimet e Sokol Cikalleshit i keni marrë për bazë?
Cikalleshi është një lojtar që e njeh mirë Beshiktashin dhe unë lexoj çdo gjë në shtyp, ndaj e kam parë me vë- mendje atë që ai ka thënë. Megjithatë, kemi parë video të ekipit dhe takimet e fundit që ka zhvilluar në kampionat.
Duke qenë një ndeshje historike, shumë lojtarë duan të luajnë, si do t’ia bëni?
Detyra ime është që të menaxhoj grupin që kam në dispozicion, pavarësisht dëshirës së lojtarëve që kanë për të luajtur. Secili do presë radhën e tij, e rëndësishme është që lojtari të ketë dëshirë për të luajtur, sepse edhe për mua si trajner është më mirë.
Flitet për largime lojtarësh në merkato. Jeni nën presion për t’i aktivizuar?
Nuk kam asnjë presion, sepse mua nuk më interesojnë këto gjëra. Po nuk dhanë në fushë, nuk do të luajnë. OK, edhe unë punoj për klubin dhe duam të gjithë të mirën e tij, por nuk jam nën presion në këtë aspekt. Ju mediat e merrni vesh më shpejt se kush kërkohet në merkato dhe kush largohet.
Keni luajtur si lojtar në ndeshje ndërkombëtare dhe tani si trajner. Çfarë emocionesh keni?
Nuk duhet të ngatërrojmë kohët, sepse është ndryshe. Atëherë kishte më pak ndeshje dhe duhej pritur shumë për të luajtur. Tani është tjetër gjë. Atëherë kam pasur më shumë emocione, edhe pse tani ato emocione janë ndryshe, shkruan PanoramaSport.