Lajmet e fundit

Ashtu sikur gjatë viteve të kaluara, edhe këtë vit vizitorët e këtij festivali do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Kosovës përmes disa dramave, shfaqjeve, filmave, koncerteve dhe ekspozitave.
Ndërsa një pjesë e festivalit do t'i kushtohet diskutimeve dhe debateve për të ardhmen e marrëdhënieve Prishtinë - Beograd dhe rëndësinë e bashkëpunimit për të dy shoqëritë.
Hapja zyrtare e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” do të bëhet të mërkurën më 29 maj me shfaqjen e filmit “Cold November”, me regji të Ismet Sijarinës - filim që është prezantuar në shumë Festivale Ndërkombëtare të Filmit të cilat kanë rezultuar me dy çmime dhe tre nominime.
Një ngjarje që do t’i paraprijë hapjes do të jetë performanca artistike “Let’s make love” nga Shkumbin Tafilaj.
Gjatë festivalit, publiku do të ketë mundësinë të shohë filmin dokumentar “Ferdonija” nga Gazmend Bajri i cili tregon jetën e një gruaje që ka humbur tërë familjen e saj gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Një shfaqje teatrale me regji nga aktori dhe regjisori i famshëm shqiptar Enver Petrovci e titulluar "Kreolet e Ballkanit" do të prezantohet gjithashtu gjatë festivalit.
Po ashtu, do të organizohen tri debate të ndryshme për të diskutuar çështje lidhur me personat e pagjetur, shkrimin e dramave të reja në Kosovë dhe librat e historisë.
Së bashku me këto debate do të promovohen tre botime specifike: Libri i Kujtesës me tregimet e familjeve të të pagjeturve "Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve" të botuar nga forumZFD në Kosovë dhe Integra, “ONE FLEW OVER THE KOSOVO THEATER - Një Antologji e Dramës Bashkëkohore nga Kosova” botuar nga Multimedia (Kosovë) dhe Beton (Serbi) dhe "Historia e Kosovës në tekstet e historisë së Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë" shkruar nga Shkëlzen Gashi dhe botuar nga Alter Habitus.
Performanca përmbyllëse e edicionit të këtij viti do të jetë një koncert i grupit trio “Don’t listen to your neighbours” nga Kosova të cilët njihen që e kanë mbajtur gjithmonë një koleksion të rafinuar të repertorit tradicional shqiptar dhe në vitet e fundit ata kanë zhvilluar një stil mjaft unik me elemente të xhazit të cilat na vijnë në mënyrë të sofistikuar.
Performanca e DJ Matales nga Prishtina do të përmbyllë festivalin "Mirëdita, dobar dan!" për vitin 2019.
Frymëzim për festivalin “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin, por edhe ndarjen dhe gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme.
Festivali organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi), dhe Iniciativa Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Serbi, Rockefeller Brothers Fund (RBF), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.